Kurti iu drejtohet qytetarëve me video-mesazh: 2023-ta vit sfidues e transformues

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti iu drejtohet qytetarëve përmes një video mesazhi ku përmend sfidat dhe sukseset nëpër të cilat sipas tij ka kaluar Kosova gjatë vitit që po lëmë pas.

Ai  2023-ën e quan vit transformues për shtetin .

“Kemi arritur në fund të një viti që padyshim ka lënë gjurmë në shtetin tonë. Ky vit shënoi 25 vjetorin e një nga kapitujt më të dhimbshëm të historisë sonë, krimet e kryera nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Por, në anën tjetër po në këtë vit festuam 15 vjetorin e pavarësisë të arritur me mund e sakrifica. Jemi përballur me sporva të shumta, e megjithëato  këtu po qëndrojmë më të fortë se kurrë e të palëkundur në përkushtimin tonë drejt progresit e prosperitetit. Rrugëtimi ynë ka pasur sprovat e veta. Ka momente kur kur duket që forca të jashtme po përpiqen vazhdimisht të na destabilizojnë, mirëpo shteti ynë nuk është vetëm një copë toke, por është rezultati i përbashkët i sakrificave dhe ëndrrave të popullit tonë. Shtetin tonë e kemi fituar me meritë, dhe nuk e marrim si të mirëqenë. Pavarësisht nga forcat e jashtme ne vazhdojmë të rritemi e të zhvillohemi.”, thotë Kurti në video.

Një temë tjetër të cilën e prek është edhe  dialogu me Serbinë , për të cilin thotë se Kosova ka bashkëpunim me aleatët në procesin e normalizimit me Serbinë me synim për të sjellë paqe.

“Po e mbyllim vitin edhe me mbështetjen e aleatëve tanë. Bashkëpunimi ynë me aleatët përfshinë qasjen tonë konstruktive në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë me synimin për të sjellë paqe dhe siguri dhe për të hequr barrën që do të ngadalësonte rritjen e prosperitetit tonë. Në këtë proces të vazhdueshëm dhe në bisedimet shumë të gjata që kanë paraprirë e do të vazhdojnë do të doja të siguroja qytetarët se çdo marrëveshje që do të nënshkruhet do të jetë në të mirë të vendit tonë dhe nuk do të kërcënojë sigurinë e integritetin territorial të vendit tonë, kushtetutshmërinë e rendin ligjor”, shprehet Kurti.

“Kosova jonë është në prag të një të ardhme që është më afër të asaj çka e meritojmë, dhe për të cilën kemi punuar intensivisht. Qeveria jonë shërben bashkë, me ju dhe për ju. Andaj ju ftoj për bashkëpunim. Kemi kaluar periudha shumë të vështira në ndërtimin e shtetësisë sonë dhe tash është koha që të zhvillojmë e të ndërtojmë vendin që e meritojmë”, thotë Kurti./21Media

Back to top button