Kurti: Jemi të gatshëm për zgjedhje të reja në veri, policia s’mund të tërhiqet pa u tërhequr ekstremistët

(Lajm i përditësuar)

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova është e gatshme për zgjedhje të reja në veri e për tërheqje të Policisë nga objektet komunale në katër komunat veriore, por pasi të plotësohen kornizat ligjore.

“Za i përket zgjidhjes më të qëndrueshme, natyrisht që e kuptojmë se ka nevojë për zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri me një proces i cili paraprihet nga sundimi i ligjit, nga një kampanjë e hapur dhe fer dhe nga zgjedhjet e lira dhe demokratike.”, tha ai në një konferencë për media.


Borrell i kërkon Vuçiqit lirimin e tre policëve pa kushte

Shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell ka theksuar se në takimet që i ka pasur të enjten me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiqin, janë pajtuar se duhet të ketë zgjedhje të reja në katër komunat veriore të Kosovës.

Borell në lidhje me arrestimet e disa serbëve në Kosovë pas protestave të fundit në veri, Borell ka thënë se nuk mund të ketë mosndëshkim për autorët e dhunës.

Ndërkaq, ai në konferencën për media tha se i ka kërkuar Vuçiqit se tre policët e Kosovës që po mbahen në paraburgim në Serbi duhet të lirohen menjëherë dhe pa kushte.

Tre zyrtarët policorë të Kosovës janë arrestuar nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës më 14 qershor.


Borrell për veriun: Zgjedhje të reja sa më shpejt dhe me pjesëmarrje të plotë

Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell ka thënë se në takimet që i ka pasur sot me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiqin, janë pajtuar se duhet të ketë zgjedhje të hershme në katër komunat veriore të Kosovës.

“Takimi i sotëm nuk u fokusua në shumë në çka por në atë se si dhe kur – do të qetësohet situata në terren, me shumë konkrete, si të organizohen zgjedhje të reja dhe si të kthehen në dialog dhe të zbatojnë të gjitha detyrimet e dialogut, në veçanti marrëveshjen e fundit në rrugën e normalizimit”, tha Borell në një konferencë për media të enjten.

Për katër orë rresht, në Bruksel, Borrell dhe i dërguari evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, kanë zhvilluar “një seri takimesh për menaxhimin e krizave”, fillimisht me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe më vonë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.


Kurti e Vuçiq në takime ndaras me Borrellin e Lajçakun

Ka filluar takimi në Bruksel mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për politikë të jashme Josep Borrell dhe emisarit të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Fillimisht kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua me Borrellin dhe Lajçakun.

Për takimin me Kurtin, Borrell është deklaruar nëpërmjet një postimi në rrjetin social, Twitter.

“Situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë shumë e tensionuar. Sot, ne synojmë të gjejmë zgjidhje për de-eskalim të menjëhershëm dhe një rrugë përpara”, ka shkruar ai.

Ndërkaq, teksa ka njoftuar për nisjen e takimit me Vuçiqin, përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, ka thënë se për të adresuar krizën në veri të Kosovës duhet të ketë gatishmëri për kompromise e ide konstruktive.

“Ide konstruktive dhe gatishmëri për kompromis nevojiten për ta adresuar krizën e vazhdueshme n ëveri të Kosovës. Palët pritet të qetësojnë tensionet dhe të përmbushin detyrimet e tyre pa parakushte”, ka shkruar Borrell në “Twitter”.

Nuk ka njoftim nëse do të ketë takim mes Kurtit e Vuçiqit.


Përfundon takimi Kurti – Borrell

Në Bruksel ka përfunduar takimi bilateral ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borell. I pranishëm në këtë takim ishte edhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Më pas Borrelli dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq kanë filluar takimin dypalësh.


Borrell: Synojmë të gjejmë zgjidhje për shtensionim  

Ka nisur në Bruksel takimi në mes të shefit të diplomacisë evropiane Josep Borrell dhe kryeminstrit të Kosovës Albin Kurti.

Borrell tha se situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë e tensionuar.

“Sot, ne synojmë të gjejmë zgjidhje për de-përshkallëzimin e menjëhershëm dhe rrugën përpara”, tha Borrell.


Nis takimi Kurti- Borrell

Në Bruksel ka filluar takimi bilateral i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, merr vesh Radio Evropa e Lirë.

Pas takimit me Kurtin, Borrell pritet të bisedojë edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.


Publikohet agjenda  e takimeve në Bruksel

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell fillimisht do ta presë në takim presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e më pas do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, bëhet e ditur në njoftimin e faqes zyrtare të Bashkimit Evropian.

Derisa nuk është bërë e ditur se a do të ketë ndonjë takim trepalësh momentalisht. Po ashtu pas takimeve që do të kenë në Bruksel, Borrell do të dalë me një deklaratë për media.


Sot takimi në Bruksel, BE: Diskutimet do të fokusohen në gjetjen e mënyrave për të shtensionuar situatën

Bashkimi Evropian ka konfirmuar se sot do ta mbajë takimet me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Siç bëhet e ditur në njoftim takimi do të mbahet rreth orës 14:00.

“Pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës, përfaqësuesi i lartë, i mbështetur nga përfaqësuesi special i BE-së, Miroslav Lajçak, do të presë sot një sërë takimesh për menaxhimin e krizave me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Diskutimet do të fokusohen në gjetjen e mënyrave për të shtensionuar tensionet aktuale në mënyrë që t’i rikthehemi zbatimit të marrëveshjeve të dialogut, në veçanti Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit”, thuhet në njoftimin e BE-së.

Po ashtu u njoftua se pas takimeve, Borrell do të ketë edhe adresim për media.


Borrell fton në takim urgjent Kurtin dhe Vuçiqin

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka njoftuar se i ka thirrur për një takim urgjent në Bruksel, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ai në Twitter, Borrell ka shkruar se është nevojë urgjente për deeskalim të menjëhershëm dhe zgjedhje të reja në veri të Kosovës.

“I kam thirrur liderët e Serbisë dhe Kosovës në Bruksel për takime urgjente për të gjetur rrugën e daljes nga kriza aktuale. Ne kemi nevojë për deeskalim të menjëhershëm dhe zgjedhje të reja në veri me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës. Kjo është parësore për rajonin dhe BE-në”, ka shkruar Borrell.

Kryeministri i Kosovës,  Albin Kurti ka konfirmuar të mërkurën se do të udhëtojë për në Bruksel për takimin e radhës të nivelit të lartë, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Në anën tjetër zëdhënësi i BE-së Petër Stano ka thënë se nuk mund konfirmojë datën për takimin në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq./21Media

Back to top button