Kurti: Kemi të drejtë ta propozojmë projektbuxhetin 2026, por ka disa të panjohura…

(Lajm i përditësuar)
Kurti: Kemi të drejtë ta propozojmë projektbuxhetin 2026, por ka disa të panjohura…
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka komentuar sot çështejn e projektbuxhetit 2026, i cili tha se Ligji për Qeverinë i mundëson këtij ekzekutivi në detyrë të propozojë projektbuxhetin për vitin 2026 në Kuvendin e Kosovës, ani se sipas tij,nuk do të thotë se puna mbaron aty.
Kurti në një konferencë për media duke folur për rëndësinë e këtij projektbuxheti, tha se vendi nuk mund të ecë përpara pa këtë ligj.
Megjithatë, ai tha se rrethanat djeshme në seancën e jashtëzakonshme, kanë ka të panjohura për rrugën përpara sa i përket buxhetit.
“Një vend pa buxhet, është një vend i cili nuk mund të ecë përpara. Ne kemi të drejtë që ta propozojmë buxhetin për vitin 2026 në Kuvendin e Kosovës në bazë të ligjit për Qeverinë, mirëpo në të njëjtën kohë do të na duhet të bëjmë shumë konsultime me juristët në mënyrë që të shohim se si është rruga përpara, meqenëse fakti që Qeveria miraton një propozim buxhet për vitin 2026, kjo nuk do të thotë që puna ka mbaruar, por vetëm sa ka filluar. Nuk janë ende komisionet parlamentare në Kuvend dhe gjithashtu cili do të ishte ai buxhet i cili do ta kishte mazhorancën prej 61 deputetëve, sepse në dy lexime do t’i duhet që të kalojë në kuvend në të cilin sic e pamë dje, qeveria ose kabineti që propozova unë i mori 56 vota. Kështu, ka shumë të panjohura për rrugën përpara dhe dita e djeshme i ka shtuar ato”, tha ai.
Afati i fundit për aprovimin e buxhetit për vitin 2026 në qeverinë e Kosovës është më 31 tetor.
Dje, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë Kurti 3, i propozuar nga Vetëvendosje, nuk mori votat e mjaltshme për formimin e qeverisë së re, pasi që vetëm 56 vota ishin për, 52 kundër dhe 4 abstenime.
Kurti flet për numrat: Haxhiu do t’i kishte votat nëse do të mundësohej votimi i fshehtë
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se në pranverë, po të mundësohej votimi i fshehtë, Albulena Haxhiu do t’i merrte 61 vota për kryetare të Kuvendit.
“Unë jam i bindur që në atë kohë Albulena i ka pasur 61 vota me votim të fshehtë. Dhe insistimi im ka qenë më testoni, pra, më provoni. Besoj që deri në vjeshtë numrat kanë lëvizur… dhe dje ishin 56”, tha ai.
“Dhe tash janë 3-4 deputetë që na kanë thënë shumë qartë ‘bëjini ju 60 vota, ne jemi i 61-ti’. Kjo i bie që po t’i kishim 60, do t’i kishim 63 apo 64. Por jemi ku jemi tash dhe vazhdojmë”, tha Kurti.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti në një konferencë për media nuk e përjashtoi mundësinë e shkuarjes në zgjedhje në dhjetor, e po ashtu pas këtyre edhe në muajin prill kur do të duhet të zgjedhet presidenti, përcjell portali rtv21.tv
“Nga ajo çfarë dëgjuam dje dhe në bazë të rrethanave që ekzistojnë, duket se të gjithë tash po përgatiten jo vetëm për balotazhin, por edhe për zgjedhje parlamentare. Mbase është për të ardhur keq, por do të kemi dy herë zgjedhje, edhe në dimër edhe në pranverë, sepse kur nuk arritëm t’i bëjmë 61 deputetë për një qeveri të re, atëherë është vështirë e imagjinueshme që t’i bëjmë 80 deputetë për presidentin”, tha ai.
“Për rrugën e re, e cila në bazë të të gjitha fakteve dhe shenjave është veçse ajo e zgjedhjeve të reja…”, shtoi ai
Ai foli për ftesat që ia bëri LDK-së dhe kontaktet me Nismën.
“I bëmë ftesë dy herë LDK-së dhe kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me Nismën. LDK refuzon kategorikisht një qeveri të udhëhequr nga unë, kurse Nisma përfundimisht nuk deshi të jetë në një qeveri që e drejtoj unë”, tha ai
Albin Kurti tha sot se ka besuar që mund të bashkëpunojë me kreun e LDK-së Lumir Abdixhikun.
“Unë nuk po e kuptoj Lidhjen Demokratike të Kosovës, të ju them sinqerisht. Nuk duan qeveri të udhëhequr nga unë dhe Lëvizja Vetëvendosje, nuk duan të formojnë qeverinë e tyre me partitë e tjera opozitare, por insistojnë në disa zgjedhje të reja ku përsëri do ta përsërisin atë slloganin që ne dalim të parët. Po nuk dalin të parët. Është një çik e çuditshme për mua kjo sjellje”, tha ai../21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?