Kurti kërkon nga AKP-ja të mos hapë valë të re të privatizimit

 

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kërkuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit të mos hapë valë të re të privatizimit apo likuidimit.

Kurti po ashtu ka paralajmëruar masa ndaj bordit.

“Tani jam informuar që bordi i AKP-së krejtësisht paligjshëm po synon keqpërdorimin e vakuumit institucional duke tentuar të fillojë valë të reja të likuidimit në kundërshtim me vendimet e lartpërmendura. Thirrjet e bordit në gjoja pavarësinë e institucionit dhe në nevojën që paska vendi për privatizim më të shpejtë në mënyrë që të gjenerohen të hyra shtesë për buxhetin e shtetit, janë konfirmim i mëtejmë i brengës sonë për keqpërdorime në këtë institucion. E shoh shumë të rëndësishme që publikisht t’i drejtohem bordit të AKP-së me kërkesë që të mos sfidojë mekanizmat institucional dhe të mos provojë të hapë valë të reja të privatizimit apo likuidimit në kundërshtim me vendimet që janë në fuqi”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kurti gjithashtu ka bërë me dije se një nga shtyllat kryesore të programit të qeverisë së tij vazhdon të mbetet lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. “Rrjedhimisht, brenda kësaj kornize do të trajtohet edhe sfidimi eventual i bordit të AKP-së në raport me qeverinë dhe kuvendin e dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit 2021”.

Kurti ka shkruar se në programin e tij qeverisës ishte paraparë edhe ndryshimin rrënjësor të statusit të Agjencisë Kosovare të Privatizmit (AKP)./21Media 

Back to top button