Kurti: Këtë vit kemi më shumë arsye për të shënuar Ditën e Evropës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se këtë vit Kosova ka më shumë arsye për të shënuar Ditën e Evropës.

Kurti në shkrimin e tij në Facebook, ka përmendur dorëzimin e aplikimit për anëtarësim në Bashkim Evropian, nënshkrimin e vendimit për liberalizimin e vizave, si dhe kalimin e fazës së parë të anëtarësimit në Këshill të Evropës.

“‘Evropa e bashkuar nuk u arrit dhe kishim luftë. Evropa nuk do të bëhet menjëherë, ose sipas një plani të vetëm. Ajo do të ndërtohet përmes arritjeve konkrete të cilat së pari krijojnë një solidaritet de facto’. Këto ishin fjalët e Robert Schuman, ministrit për Evropë dhe Çështje të Jashtme të Francës në deklaratën e tij të bërë me 9 maj 1950. I themeluar mbi vlera e vizion, Bashkimi Evropian është projekti më i madh politik dhe procesi më i rëndësishëm historik i paqes dhe prosperitetit që nga lufta e dytë botërore. Është ideja e bashkëpunimit përmes institucioneve të përbashkëta që krijoi tregun unik dhe e bëri BE-në ekonominë më të madhe të botës. Në dhjetorin e vitit që e lamë pas dorëzuam aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Muajin e kaluar u nënshkrua vendimi për liberalizimin e vizave, ndërkaq në fund të prillit kaluam me sukses fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Më afër dhe rrugës për në Bashkimin Evropian, këtë vit kemi edhe më shumë arsye për të shënuar Ditën e Evropës. Urime 9 Maji – Dita e Evropës!”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Deklarata e 9 majit e vitit 1950 është koha kur u hodh hapi i parë drejt krijimit të asaj që sot njihet si Bashkimi Evropian./21Media

Back to top button