Kurti: Kjo qeveri do të jetë pranë artistëve si kurrë më parë

Kryeministri, Albin Kurti sot ka bërë të ditur se gjatë vizitës së tij, në Cannes i ka përcjellur premierat e dy filmave nga Kosova dhe sipas tij rëndësia e artit dhe vlerat e vendit po bëhen bashkë për vetëdijen dhe shqisat e miliona shikuesve të huaj dhe mijëra artistëve të famshëm.
Sipas Kurtit kjo qeveri do të jetë gjithmonë pranë artistëve dhe do t’i mbështesë ata si asnjëherë më parë.
”Kosova është bërë forcë ndërkombëtare në kinematografi. Nuk e takuam asnjë personalitet arti e kulture që nuk dinte për Kosovën. Samir Karahoda dhe Luàna Bajrami ishin krah për krah në Cannes me artistët më të shquar që erdhën këtu prej anekënd globit. Nga shumë mijëra filma ky Festival përzgjodhi rreth një dyzinë sosh për secilën kategori. Shumica dërrmuese e vendeve të botës nuk u kualifikuan. E Kosova kishte dy filma që u shfaqën dhe garuan”, ka shkruar ai në facebook.
Kurti ka treguar se ka takuar shumë personalitet, të cilët i kishte falenderuar për mbështetje.
”Në kuadër të vizitës dyditore në Cannes takova Jerome Paillard, drejtorin e Marche dú Film të Kanës, tregut më të madh të filmit në botë; Stefan Laudyn, Drejtorin e Festivalit Ndërkombëtar të Varshavës; Nikolaj Nikitin, drejtorin e SOFA – shkolla për avancimin e filmit; Katriel Schorry, nga Fondi i Filmit të Izraelit, dhe Helge Albers, nga Fondi i Filmit të Hamburgut. I falenderova për mbështetjen e filmit dhe artistëve nga Kosova si dhe diskutuam për mundësitë e shtimit të bashkëpunimit”, ka shkruar tutje Kurti.
Ndryshe, mbrëmë është mbyllur Festivali i filmit në Cannes. Në këtë fetival, kanë garuar dy filma me produksion kosovar, filmi i metrazhit të shkurtër ”Pa vend” me regji të Samir Karahodës dhe filmi i metrazhit të gjatë, ”Luaneshat e Kodrës”, i regjisores së re, Luàna Bajrami./21Media

Back to top button