Kurti: Kosova është dhe do të jetë shtëpi e të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim

Qeveria e Kosovës sot mbajti mbledhjen festive për 16 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Në fjalën e tij, Kryeministri i Ksoovës, Albin Kurti tha se Kosova është “shtëpia e përbashkët”, që u ndërtua me mbështetjen e aleatëve.

Ai tha se shteti po zhvillohet përkundër sfidave.

“Pas luftës shkatërruese 1998-1999, në rindërtuam shtëpitë tanë. Me mbështetjen nga aleatët tanë ndërkombëtarë, ne ndërtuam shtëpinë tonë të përbashkët, Republikën e Kosovës. Një Republikë parlamentare e mirëfilltë, me drejtësi e barazi për qytetarët e saj, kontribuese në paqe dhe garanci për paqe. Një shtet që vlerat demokratike, respektimin e të drejtave të njeriut e të gjitha pakicave dhe drejtësinë sociale e solidaritetin, i ka në thelb të çdo kursi politik dhe shoqëror. Një çerek shekulli pas luftës, Republika jonë qëndron e fortë. Ne qëndrojmë krenarë sepse përkundër sfidave, shteti ynë po zhvillohet”, tha Kurti.

Kurti uroi të gjithë qytetarët e Kosovës për këtë ditë, derisa tha se Republika e Kosovës ishte, është dhe do të jetë shtëpi e të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim.

Ai tutje shprehu mirënjohje të veçantë për partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë, për të cilët tha se do t’u jenë përgjithmonë falenderues.

Kurti fjalimin e tij e përfundoi me urimin “Qoftë gjithmonë e fortë Republika jonë, ne i dalim zot”/21Media

Back to top button