Kurti: Kosova i humbi mbi 300 milionë euro nga Serbia që nga viti 1999

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nga viti 1999, Kosova i ka humbur mbi 300 milionë euro për shkak të veprimeve të Serbisë.
Në një postim në Twitter Kurti ka shkruar se mosfaturimi i energjisë elektrike për serbët në veri dhe refuzimi i Beogradit për të lejuar tregtinë Kosovë-Serbi, po i kushton Kosovës deri në 10 milionë euro në muaj.
“Strukturat paralele të kontrolluara nga Serbia në komunat veriore të Kosovës, u kanë kushtuar qytetarëve dhe taksapaguesve në pjesën tjetër të vendit 320 milionë euro në faturat e papaguara të energjisë dhe 17 milionë euro në faturat e furnizimit me ujë që nga viti 1999. Strukturat paralele nuk lejojnë faturimin e energjisë elektrike dhe pengojnë zbatimin e një marrëveshjeje energjetike, të arritur në dialog, 10 vjet më parë. Pa nxitje për të kursyer, konsumi në këto bashki u rrit me 70+% në një dekadë, pjesërisht për shkak të kultivimit të drogës dhe kriptominimit”, ka shkruar Kurti.

Sipas tij, për këto padrejtësi s’kanë faj qytetarët në komunat veriore, pasi siç tha kryeministri, qytetarët serbë pranojnë se pagesa për shërbimet bazë, mundëson “investime të nevojshme për të përmirësuar më tutje cilësinë e shërbimeve”.
Kurti tha se Qeveria është e përkushtuar në përmirësimin e cilësisë së qytetarëve të Kosovës dhe në ofrimin e lirisë dhe sigurisë./21Media

Back to top button