Kurti: Kosova nuk ka jetë grash dhe vajzash për të humbur

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar drejtësi për 18 vjeçaren e cila është vrarë mbrëmë në Ferizaj.
Në një postim në Facebook, Kurti ka shkruar se Kosova nuk ka jetë grash dhe vajzash për të humbur. Na duhet angazhim maksimal i institucioneve dhe çdo njërit nga ne për të respektuar te drejtën për të gëzuar jetën, për ta jetuar atë dinjitetshëm dhe për të realizuar aspiratat legjitime.
“Një 18 vjeçareje dje iu ndalën përgjithmonë dëshirat dhe ëndrrat. Ajo nuk e humbi jetën në aksident trafiku apo konflikt lufte. Jeta e saj u shua dhunshëm në mjedisin ku çdo njëri nga ne duhet të ndihet i dashur, i respektuar e mbi të gjitha i mbrojtur. Nëna dhe baballarë, vëllezër dhe motra, mësues dhe mësuese, zyrtarë të rendit dhe të mbrojtjes së ligjit, qytetarë dhe qytetare të Kosovës,Ta ndalim dhunën ndaj grave, t’i edukojmë bijtë e vëllezërit tanë se dhuna nuk është gjuhë e pranueshme komunikimi, se dhuna është turp që sjellë tragjedi dhe se është e dënueshme me ligj”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ai ka kërkuar që të gjitha femrat të lajmërojnë rastet e dhunës në Polici.

Në lidhje me këtë rast ka reaguar edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila  ka thënë se vetëm drejtësia e dënimi për ata që po i kryejnë këto krime makabre ndaj grave e vajzave të Kosovës mund të ndryshojë situatën e trishtë të pabarazisë me të cilën përballemi sot në vend./21Media
Back to top button