Kurti kujton Aganin: Policia serbe vrau një humanist e politikan racional

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar profesor Fehmi Aganin, në 23 vjetorin e vrasjes së tij.
Kurti, tha se policia serbe vrau një profesor të ditur, humanist e politikan racional
“Në mesin e mijëra shqiptarëve që forcat e Serbisë po i deportonin me trena nga Kosova në pranverën e vitit 1999, ishte edhe ky burrë i urtë 67 vjeçar, që po jetonte dramën e popullit të tij sikur secili njeri që atë ditë, më 6 maj 1999, kishte qëlluar në trenin ku ishte edhe ai. Megjithëse treni arriti deri në kufi me Maqedoninë, policia serbe e ktheu atë sërish në Fushë-Kosovë, ku pasi zbriti të dëbuarit, disa prej tyre i arrestoi. Ndër ta edhe atë, akademikun dhe politikanin Fehmi Agani. Të nesërmen, ai u gjet i vrarë ndanë një rruge në afërsi të Lipjanit. Sot, bëhen 23 vjet nga dita kur u vra Fehmi Agani! Ky eliminim kriminal, u krye nga policia serbe në rrethana edhe sot të pasqaruara plotësisht”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri Kurti tha se Agani la pas edhe një trashëgimi të pasur shkrimesh e veprash,
“Nënkryetar i partisë Lidhja Demokratike e Kosovës, Fehmi Agani dinte të bënte një figurë të mirë në publik, prej profesori të ditur, intelektuali humanist dhe prej politikani racional. Pjesëmarrës në shumë procese shoqërore e politike dhe hartues i shumë dokumenteve me rëndësi historike, Profesor Fehmi Agani la pas edhe një trashëgimi të pasur shkrimesh e veprash për teoritë sociologjike, shoqërinë civile, demokracinë, kombin, vetëvendosjen, rrymat politike në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, për gjuhën e dhunës, sindikatat gjermane dhe një mori temash të tjera sociale e politike”, ka shkruar tutje ai.
Kurti tha se teksa përkujtohet Agani rithekson përkushtimin e institucioneve kosovare për të ndriçuar para drejtësisë, krimet e Serbisë të kryera në Kosovë.
“Teksa e përkujtojmë jetën dhe veprimtarinë e tij, e ritheksojmë përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, për të zbardhur para drejtësisë dhe historisë, krimet e Serbisë të kryera në Kosovë, siç është edhe vrasja e Fehmi Aganit” ka shkruar Kurti në Facebook./21Media

Back to top button