Kurti: Marrëveshja kundër hyrjes së FSK në veri vazhdon të jetë e dëmshme

 

Deputeti i PDK-së, Fadil Nura në seancën e sotme të kuvendit ka pyetur kryeministrin Kurti lidhur denoncimin e marrëveshjes së 13 prillit 2013 në mes të Republikës së Kosovës dhe NATO-s.

Nura për këtë marrëveshje të denoncuar një vit më parë nga kryeministri Kurti, për mos futjen e FSK-së në veri, kërkoi të dijë se a ka ngritur në takimin e tij me sekretarin përgjithshëm të NATO-s.

“Këtë marrëveshje e kualifikuat si marrëveshje të fshehtë, sekrete jashtëzakonisht të dëmshme dhe anti-kushtetuese, akuzuat presidentin Thaçi si nënshkrues të asaj marrëveshje, duke konsideruar si shkelje të rëndë kushtetuese deri në elementet e tradhtisë kombëtare. Këtë a e adresuat zyrtarisht në prokurorinë e shtetit e në kuvendin e Kosovës. Pyetje kryeministër, tani pas një viti u realizuar një takim në Bruksel përkatësisht me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, a e adresuar shqetësimin tuaj për këtë marrëveshje të ashtuquajtur të fshehur dhe të 19 prill 2019 dhe cili është qëndrimi juaj sot për këtë marrëveshje?”, ka pyetur Nura.

Për këtë denoncim, kryeministri Kurti është përgjigjur se nuk i bie pishman, por tha se nuk ka arritur ta ngrit këtë çështje me sekretarin e NATO-s. Ai shtoi se kjo marrëveshje vazhdon të jetë e dëmshme dhe e deponuar në prokurori.

“Marrëveshja në fjalë që ka qenë shkëmbim i letrave që ju e përmendeni, ka qenë e vazhdon të jetë e dëmshme për interesat e Republikës së Kosovës dhe unë vazhdoj të qëndroj prapa asaj që kam deklaruar në shkurt të vitit 2020. Unë nuk kam akuzuar sekretarin e përgjithshëm të NATO-s në lidhje me atë shkëmbim të letrave dhe nuk mund të kërkoj llogari prej tij. Por, kam akuzuar titullarin e atëhershëm të institucioneve të Kosovës që ka vënë firmën në një shkresë të tillë. Një pragmatikë që i ka rrënjët tetë vite më parë nuk mund të adresohet e rregullohet përmes një takimi të vetëm që ishte takim i parë në selinë qendrore të NATO-s. Atëherë e kam referuar çështjen në prokurori dhe tash i mbetet asaj për trajtim. Marrëdhëniet midis Republikës së Kosovës dhe NATO-s do të vijnë duke u thelluar nuk keni nevojë të brengoseni”, tha Kurti.

Sërish ka insistuar deputeti Nura të marrë përgjigje nga Kurti, për çka tha se kryeministri po i bishtnon pyetjes.

Ndërsa, kryeministri Kurti tha se është çuditur që s’u bë publike marrëveshja me NATO-n, dhe përsëriti se nuk mund ta ngritë një të keqe siç tha ai të madhe në një takim të parë me NATO-n.

“Kjo është një marrëveshje e dëmshme dhe është një fakt që e kemi trashëguar si shumë fakte të tjera të mëhershme, por nuk mund ta rregulloj një të keqe të madhe me një takim të vetëm të parë. Më 19 prill 2013 ka nënshkruar ish-kryeministri i Kosovës marrëveshje me ish-kryeministrin e Serbisë në Bruksel me 15 pika, 6 prej të cilave i referohen Asociacionit të komunave me shumicë serbe përkatësisht ‘Zajdenicës’, pra aty janë rrënjët e së keqes. Por unë jam çuditur kur kam parë që nuk ka qenë vetëm një marrëveshje, por kanë qenë dy, njëra që u bë publike në BE dhe tjetra që s’u bë publike me NATO-n dhe e cila kurrë nuk është sjellë as si informatë në Kuvend, aq më pak të ratifikohet tek ne”, tha Kurti.

Back to top button