Kurti: Marrëveshja me Serbinë duhet të zbatohet pa kushte

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Marrëveshja drejt normalizimit të raporteve me Serbinë, dhe Aneksi i saj duhet të zbatohen shpejt dhe pa kushte.

Kurti, sot në mëngjes takoi Raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e shoqëruar nga shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomáš Szunyog dhe bashkëpunëtorë të tjerë.

Sipas një komunikate për media të lëshuar nga zyra e kryeministrit, në këtë takim biseduan për zhvillimet në vend, me theks procesin e dialogut në Bruksel dhe marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe për procesin pas-zgjedhor në katër komunat në veri të vendit.

“Kryeministri rikujtoi se zgjedhjet në katër komunat në veri të vendit ishin shtyer një herë në dhjetor, dhe se tani pas mbajtjes së tyre me 23 prill, është e rëndësishme që të fillojmë sa më parë me ofrimin e shërbimeve bazike për qytetarët, të cilat kanë munguar që nga fillimi i muajit nëntor të vitit të kaluar pas dorëheqjes së kryetarëve pararendës. Ndërsa, për sa i përket dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Zbatimit të saj, ai përsëriti që duhet zbatim i shpejtë, i plotë dhe i pakushtëzuar”, thuhet në komunikatë.

Kryeministri e falënderoi Viola von Cramon për përkrahjen për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian.​/21Media

Back to top button