Kurti: Masakra e Dubravës, një nga episodet më të tmerrshme të historisë sonë

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se sot Masakra e Dubravës vazhdon të mbetet një prej episodeve më të tmerrshme të historisë sonë. Duke kujtuar ditët kur para 22 vitesh forcat serbe ushtruan dhunë fizike e psikike mbi të burgosurit e vranë mbi 100 prej tyre, Kurti shkroi se prej sot do të jetë një lapidar në kujtim të atyre që u vranë.

Ai solli edhe një nga dëshmitë për atë që ndodhi nga 19 deri më 24 maj të vitit 1999.

“Duhej të qëndronim në një rresht në një fushë betoni të futbollit rrethuar me roje. Rreth 100 njerëz ishin në një rresht. Qëndruam aty për dhjetë minuta, derisa ishim renditur të gjithë në një rresht. Pastaj, një burrë u ngjit në njërën nga kullat dhe dha urdhër për gjuajtje. Ne pamë gjithçka. Ishte një gjuajtje e njëtrajtshme njëzetminutëshe nga muret e larta 5 metra. Dhe gjithçka ishte e parapërgatitur. Mbanin në duar armë të llojeve të ndryshme. Gjuanin nga muret. Ranë bomba mbi secilin dhe njerëzit fluturonin. Kaosi ndodhi ndërsa të burgosurit iknin për t’u fshehur në ndërtesat e ndryshme të burgut, bodrumet e tyre ose sistemin e kanalizimeve të burgut”, ka shkruar ai duke thënë se kjo është vetëm një nga dëshmitë e shumta nga Burgu i Dubravës.

Ai tutje ka shkruar se Masakra e Dubravës është trajtuar vetëm në procedurën gjyqësore kundër Sllobodan Millosheviqit në Tribunalin e Hagës, proces ky i cili siç tha Kurti ka mbetur i papërfunduar.

“Sot nuk shihet asnjë gjurmë nga kjo masakër, meqë pavijonet e Burgut të Dubravës kanë qenë ndër të parat që janë rindërtuar menjëherë pas luftës, duke pamundësuar kështu ruajtjen e gjurmëve dhe ngjarjeve që do të na shërbenin për kujtesën kolektive. Mirëpo nga sot në oborrin e burgut të Dubravës, te vendi i pushkatimit, do të jetë një lapidar në kujtim të të burgosurve të vrarë, të plagosur dhe të mbijetuar të kësaj masakre që shënon një tjetër dëshmi të gjenocidit të Serbisë mbi popullin shqiptar në pranverën e vitit 1999”, ka thënë kryeministri Kurti.

Masakra në Burgun e Dubravës është cilësuar edhe më herët nga përfaqësuesit politik në Kosovë si një nga krimet më monstruoze, për të cilin ende askush nuk është gjykuar.

Sipas të dhënave të publikuara nga Fondi për të Drejtën Humanitare, gjatë luftës në Kosovë, në vitin 1998 – 1999, janë vrarë mbi 13.500 persona, 76 % e të cilëve besohet se kanë qenë civil.

Edhe më tej është duke u hulumtuar fati i rreth 1.600 personave të pagjetur./21Media

Back to top button