Kurti: Masat e BE-së të padrejta

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Kosova nuk mund të bëjë kompromis me sundimin e ligjit e as me kushtetutshmërinë e vendit, andaj do të vazhdojë me zbatimin e programit të saj qeveritar, teksa ka shtuar se shpreson se masat e përkohshme të BE-së të jenë të shkurtra.

Gjatë përurimit të parkut të ri në fshatin Davidovc të Shtimes, Kurti i ka cilësuar këto masa të padrejta.

“Këto nuk janë sanksione por është e vërtetë që janë masa të përkohshme por të padrejta për shkak se Kosova dhe qeveria e saj janë edhe shteti edhe ekzekutiv më demokratik pro-evropian dhe progresist. Në anën tjetër kemi një përballje të vazhdueshme me forma të ndryshme të agresionit të Serbisë që është shtet autokratik dhe pro-Rusisë dhe i paballafaquar me të kaluarën kriminale në hapësirën e ish-Jugosllavisë ku i ka shkaktuar katër luftëra. Sido që të jetë ne e bëjmë punën tonë, por le të mos harrojmë që nuk mundemi të bëjmë kompromis as me sundimin e ligjit as me kushtetutshmërinë e vendit tonë andaj ne do të vazhdojmë me zbatimin e programit tonë qeveritar dhe shpresojmë që këto masa të përkohshme do të jenë fort të shkurtra ashtu që edhe mbështetja edhe ndihma evropiane të jenë të plota për shkak se Kosova është një vend që ka nevojë për mbështetje në zhvillimin e saj”, ka thënë ai.

Kurti më tej ka thënë se Kosova është e gatshme dhe e interesuar shumë më tepër sesa Serbia për normalizim me njohje de facto në qendër.

“Tryeza e dialogut është për zbatimin e marrëveshjes për normalizim të plotë dhe gjithashtu për deeskalim. Ne jemi të gatshëm, të interesuar shumë më tepër sesa pala tjetër për normalizim me njohje de facto në qendër, për njohje reciproke, por gjithashtu jemi të interesuar dhe të gatshëm për deeskalimin e gjendjes për çfarë unë kam folur edhe publikisht ë të gjitha gjuhët që i di në mënyrë që të kemi paqe e qetësi në veri të Kosovës, por edhe Kosova e Serbia si dy shtete të ndërtojnë fqinjësi të llojit evropian”, është shprehur ai.

Bashkimi Evropian ka njoftuar të shtunën (1 korrik) se kanë hyrë në fuqi masat ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës. Sipas BE-së, është pezulluar puna e organeve të MSA-së dhe program i fondeve IPA.

Back to top button