Masat ndëshkuese nga BE-ja, Murati: Opozita po mban të bllokuara 150 milionë euro

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka fajësuar opozitën për bllokimin e fondeve të dhëna nga Bashkimi Evropian.

Sipas Muratit, opozita është ajo që për muaj të tërë po mban të bllokuara marrëveshjet ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës.

“Opozita qenka ankuar se pse Kosova ende nuk është bërë pjesë e Programit Evropa Digjitale të BE-së. Mirëpo është e njëjta opozitë që me muaj të tërë po mban të bllokuara marrëveshjet ndërkombëtare në Kuvend, pa asnjë arsye të vlefshme”, shkruan Murati në “Facebook”.

Ai shton se janë 150 milionë euro të bllokuara.

“Janë gjithsej afro 150 milionë euro të bllokuara nga opozita: 25 milionë euro marrëveshja me KfW për investime në rrjetin e transmisionit të energjisë elektrike; 84 milionë euro projekti i Ngrohjes Qendrore Solare, i financuar me grante nga Gjermania, grante nga BE, dhe kredi nga BERZH; dhe 40 milionë dollarë marrëveshja me Fondin Zhvillimor të OPEC, mjete që planifikojmë t’i investojmë në infrastrukturë sportive, për t’u bërë gati për Lojërat Mesdhetare”, përfundon ai.

Back to top button