Kurti: Me ndihmën e SHBA-së e BE-së mund të arrijmë marrëveshje me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se është optimist se me ndihmën e SHBA-së e Bashkimit Evropian, mund të arrihet një marrëveshje për normalizim të marrëdhënies Kosovë – Serbi.
Kurti ka thënë se gjatë bisedimeve në Bruksel gjithmonë mundohet të jetë konstruktiv e kreativ, duke bërë propozime të ndryshme për zgjidhje.
I pari i ekzekutivit në një intervistë për CNN ka thënë se BE-ja do të mund të ndihmonte me shpejtimin e procesit të integrimit të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011 dhe ka për qëllim normalizimin e plotë të raporteve.
Palët kanë dallime të mëdha sa i përket përfundimit të këtij procesi. Përderisa Kosova kërkon që një marrëveshje përfundimtare të përfshijë njohjen reciproke, Serbia ka thënë se dëshiron një zgjidhje kompromisi, pa specifikuar se çfarë do të nënkuptonte një zgjidhje e tillë./21Media

Back to top button