Kurti me reagim të ri: Të reagojnë ndërkombëtarët

(Lajm i përditësuar)
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar përsëri për rrëmbimin e tre policëve të Kosovës.
Kurti ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tyre, duke e dënuar aktin e rrëmbimit të policëve.
Po ashtu ai ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të denoncojë këto akte.
”Tre policë të Kosovës janë rrëmbyer sot nga Forcat e Armatosura të Serbisë brenda kufijve të Kosovës. Si inkursioni i forcave ashtu edhe rrëmbimi janë akte të hapura agresioni ndërkombëtar. Ne bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të oficerëve dhe që komuniteti ndërkombëtar të denoncojë këto akte”, ka shkruar Kurti në “Twitter”.
16:01 – Reagon Kurti: Hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës, agresion dhe synim për eskalim
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas lajmit për kidnapimin e tre policëve të Kosovës në në Leposaviq.
Ai përmes një postimi në “Facebook” ka thënë se hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës është agresion dhe synim për eskalim dhe destabilizim.
Tutje ai ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve të rrëmbyer policor dhe ka ftuar faktorët ndërkombëtarë që të dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë.
“Tre zyrtarë të policisë së Kosovës janë rrëmbyer sot në Leposaviq në vendin ku dikur kishte një rrugë ilegale të kontrabandës e që ndodhet rreth 300 metra në brendësi të territorit të shtetit tonë.
Dyshojmë që ata janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë, qartazi si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e djeshëm të kriminelit famëkeq Millun Millenkoviq – Lune, i cili paraqet një ndër krerët e krimit të organizuar dhe kontrabandës. Policia e Kosovës është treguar tejet e vetëpërmbajtur këto javët e fundit.
Hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës është agresion dhe synim për eskalim dhe destabilizim. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve të rrëmbyer policor dhe ftojmë faktorët ndërkombëtarë që të dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë”, ka shkruar ai./21Media