Serbia kidnapon tre policë brenda territorit të Kosovës (VIDEO)

(Lajm i përditësuar)


Kidnapimi i tre policëve të Kosovës: Çitaku: Kjo është çmenduri

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas lajmit shokues se forcat serbe kanë kidnapuar tre zyrtarë policorë të Kosovës.

Çitaku tha se kjo nuk është vetëm një akt agresioni, por edhe çmenduri, përcjell portali rtv21.tv

“Tre policë të Kosovës janë rrëmbyer nga forcat serbe, brenda territorit të Kosovës. Ky nuk është vetëm një akt agresioni. Kjo është çmenduri”, shkroi Çitaku në Twitter.


Sveçla: Serbia kriminale ka hyrë në territorin e Kosovës dhe ka kidnapuar 3 zyrtarë policorë (FOTO)

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se tre pjesëtarë të policisë së Kosovës janë kidnapuar nga Serbia brenda territorit të Kosovës.

“Përderisa rendi dhe ligji po zbatohet në vendin tonë, Serbia kriminale ka hyrë në territorin e Kosovës dhe ka kidnapuar 3 zyrtarë policorë të Republikës së Kosovës, në shkelje të çdo marrëveshje e kundër çdo parimi të normave ndërkombëtare. Pa asnjë dyshim, zyrtarët tanë policorë kanë qenë të vendosur thellë brenda territorit të Republikës së Kosovës, në pikë kontroll statik, duke kryer detyrat e tyre të rregullta.”, shkroi Sveçla në Facebook, përcjell portali rtv21.tv

Sveçla kërkon nga faktori ndërkombëtar që të rrisë presionin ndaj Serbisë, në mënyrë që të lirohen të kindapuarit dhe të ndalë provokimet.

“Serbia po vazhdon të jetë shkaktar dhe gardian i së keqes në rajon e në Kosovë. Ne nuk zmbrapsemi para kriminelëve e terroristëve. Serbia po tregon përsëri fytyrën e saj të vërtetë dhe atë të një shteti autokrat e agresor. Kërkojmë nga faktori ndërkombëtar të rrisë urgjentisht presionin ndaj Serbisë që jo vetëm të lirojë zyrtarët tanë policorë por edhe të ndalë provokimet e saj. Sjellje të tilla kriminale të Serbisë nuk na ndalin në rrugëtimin tonë të forcimit të sovranitetit në vend”, përfundoi Sveçla.

 

 


Dyshohet se tre policë të Kosovës janë kidnapuar nga forcat serbe

Policët e Kosovës të lidhur dhe të shtritë përtokë, sipas fotografive të shpërndara nga medimi serb B92.

Policia e Kosovës ka njoftuar se dyshohet se tre zyrtarë të saj policorë janë kidnapuar nga forcat serbe, përderisa ishin me detyre në pikën statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë, përcjell portali rtv21.tv

“Sot, në mesditë nga njësiti policor i cili ishte në përbërje prej tre zyrtarëve kufitar, kanë njoftuar se në afërsi të pikës statike kanë vërejtur person/a të maskuar dhe të armatosur, me këtë rast në drejtim të kësaj pike në asistencë janë nisur njësi shtesë të PK-së. Me të arritur në atë lokacion, njësitet asistuese kanë vërejtur vetëm veturën zyrtare por jo edhe vet zyrtarët policorë që kanë qenë me detyrë në atë lokacion. Në drejtim të këtij lokacioni menjëherë kanë shkuar edhe njësite tjera policore, si dhe janë informuar edhe institucionet tjera të sigurisë, përfshirë KFOR-in, pasi dyshohet se zyrtarët policor janë kidnapuar nga forcat serbe”, thuhet në komunikatën e policisë.

“Me qëllim që të ndërmerren veprime konkrete për sigurinë e zyrtarëve policorë që dyshohet të jenë kidnapuar nga forcat serbe, janë kontaktuar të gjitha mekanizmat vendor dhe ndërkombëtar që të njëjtit të lirohen sa më parë dhe të kthehen në Polici të Kosovës”, thuhet tutje në komunikatë. /21Media

Back to top button