Kurti merr pjesë në Konventën e 6-të të Industrisë së drurit

Kryeministri, Albin Kurti, ka marrë pjesë në Konventën e 6-të të Industrisë së drurit, kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media.

Kurti e konsideruar këtë industri si njërën nga sektorët strategjikë për zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës, ndërsa tha se ajo ka potencial për të rritur përfitimet e brendshme nga përdorimi i burimeve vendore, duke kontribuuar edhe në thellimin e lidhjeve me nënsektorët e tjerë, si për shembull, tekstilin, produktet metalike dhe shërbimet që lidhen me industrinë në përgjithësi, thuhet në komunikatë.

“Kjo industri në zhvillim të vazhdueshëm, jo vetëm në tregun e brendshëm, por edhe në atë të jashtëm, ka kontribuuar me rritje të eksporteve në përmirësimin e bilancit tregtar të vendit tonë”, tha Kryeministri.

Duke shtuar se eksportet totale për dyer, dritare, mobileri të drurit dhe ndërtesat e parafabrikuara, në dy vitet e fundit, 2021 e 2022 dhe dhjetë muajt e vitit 2023, kanë arritur vlerën prej 563 milionë euro. Tutje Kurti tha se deri në fund të muajit dhjetor të këtij viti presin të arrijë vlerën 600 milionë euro.

Më tej, Kurti tha se përpunimi i drurit dhe i mobilieve sipas analizave të përformancës së industrisë në vendin tonë, në kuadër të politikës industriale vlerësohet si nënsektor “Yll në rritje”, kontribuon në 12% bilancin tregtar, duke qenë ndër të rrallët nënsektor që kanë kontribut pozitiv në uljen e deficitit tregtar.

Në fund ai thekësoi rëndësinë e arsimit dual, ku tha se po përgatisin fuqinë punëtore për kërkesat dhe nevojat e tregut.

“Arsimi dhe aftësimi profesional është njëra nga përpjekjet tona më të mëdha të transformimit të ekonomisë sonë, sepse përveçse siguron punësim e rritë produktivitetin e sektorit privat, ofron dhe përplotësim profesional që ne besojmë se do të ndikojë pozitivisht edhe në rritjen e punësimit, edhe në rritjen e cilësisë përbrenda punësimit, edhe në uljen e migrimit për arsye profesionale” tha kryeministri.

Ndërkaq, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, u shpreh se vendi ynë ka potencial të jashtëzakonshëm në shumë sektor industrial, duke veçuar se njëri ndër ta është pikërisht industria e drurit, e cila ka arritur shifra të suksesshme në eksport.

“Jam e lumtur që po ndaj me ju sot Raportin e Progresit të Unionit Evropian, që falë punës dhe kontributit në hartimin e politikave industriale, tregtare dhe të tjera, është arritur që si Ministri të dalin me shumë sukses në 16 ligje dhe 39 udhëzime administrative në përputhje me parimet dhe standardet ndërkombëtare dhe direktivat e BE-së, duke sjell reforma strukturore në përmirësimin e ambientit për zhvillimin e biznesit, klimën e investimeve dhe mbrojtjen e konkurrencës, reformën e mbikëqyrjen e tregut, fuqizimin e mbrojtjes së pronësisë industriale, turizmit e qëndrueshëm dhe vizion të qartë për industrinë e drurit”, tha Ministrja Hajdari./21Media

Back to top button