Kurti mirënjohës për marrëdhënien speciale mes Kosovës dhe Iowa-s

Partneriteti i fortë ndërmjet Kosovës dhe shtetit të Iowa-s, dhe potenciali për rritje të bashkëpunimit, ishin në qendër të takimit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me guvernatoren e Iowa-s, Kim Reynolds.
Kurti shprehu mirënjohjen për marrëdhënien speciale në mes Kosovës dhe Iowa-s, si dhe kontributin për ndërtimin e një shoqërie demokratike, të lirë dhe të orientuar drejt vlerave perëndimore.
U bisedua për krijimin e mundësive të reja të bashkëpunimit, për rritjen e investimeve, ngritjen e kapaciteteve njerëzore, shfrytëzimin e potencialit natyror si dhe për promovimin e vlerave të përbashkëta të të dyja vendeve. U tha se shembulli i bashkëpunimit ushtarak duhet të vazhdohet në fushën civile, duke fuqizuar partneritetin edhe në ekonomi, bujqësi e arsim. U veçua fillimi i shërbimeve konsullore në këtë shtet.
Në veçanti u vlerësua partneriteti në mes të Gardës Kombëtare të Iowa-s dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, dhe qëllimi afatgjatë për zhvillimin e ngritjen e mëtejme të saj dhe përafrimin e kushteve për anëtarësim në NATO.
Kryeministri theksoi se Kosova është faktor stabiliteti në rajon dhe se do te vazhdojë të jetë kontribuuese për sigurinë në rajon dhe botë, në mbrojtje të paqes dhe vlerave demokratike, përkrah aleatëve, në veçanti Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.

Rrugës për në Iowa, kryeministri Kurti përmes një video-mesazhi nga aeroplani ka folur për takimet që ka zhvilluar gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ato që do të zhvillojë tutje./21Media

Back to top button