Kurti mirëpret angazhimin shtesë të Gjermanisë dhe Francës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar letër të përbashkët nga Kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu për RTV21 ka thënë se kryeministri Kurti e ka mirëpritur këtë angazhim dhe përkushtim shtesë të dy shteteve të rëndësishme të Bashkimit Evropian dhe mbështetëse të Kosovës në arritjen e marrëveshjes ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër.
“Kryeministri ndan gjithashtu mendimin se normalizimi i plote i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i rëndësisë së veçantë për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe se qeveria është e përkushtuar për dialog parimor për marrëveshje ligjërisht të detyrueshme me njohje reciproke në qendër”, ka thënë Kryeziu.
Në letër është shkruar se për Ballkanin Perëndimor normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i një rëndësie kruciale.
Kryeministri ka pranuar një letër nga Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron në të cilën e njoftojnë kryeministrin se kanë angazhuar dy këshilltaret e tyre për politike të jashtme dhe të sigurisë Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne për ta mbështetur Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak./21Media