Hapet ekspozita me fotografi ekskluzive të Shën Nënë Terezës

Në 25-vjetorin e vdekjes së humanistes së shquar shqiptare, është hapur ekspozitë me fotografi ekskluzive të humanistes dhe nobelistes shqiptare Shën Nënë Terezës, e cila është titulluar “E kam në zemër popullin tem shqiptar”.
Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve në Shkup Skender Asanaj, tha se me Nënën Terezën është arritur qëllimi të bashkohet Shkupi, Prishtina dhe Tirana.
“Ne kemi dëshiruar që me Nënë Terezën të bashkojmë Shkupin, Prishtinën, Tiranën dhe ia kemi arritur qëllimin të kemi një vëmendje të jashtëzakonshëm. Për së pari herë po ndodh që Nënë Tereza, ku kemi nevojë më së shumti, sepse ne po ndodhemi në një turbullirë, jo vetëm kombëtare, por edhe botërore, dhe nevojitet që të kemi bashkim, njëherë kombëtar, por edhe me botën mbarë, sepse fryma e Nënë Terezës është fryma e dashurisë, bashkimit dhe afrimit të njerëzve”, tha ai.
Emin Azemi, shef i Departamentit të Letërsisë në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore, tha se përmes kësaj ekspozite prezantojnë para publikut shqiptar rrëfimet që kanë për humanisten e shquar shqiptare.
“Është Gonxhe Bojaxhiu, të cilën ne e njohim, kurse bota nuk e njeh, ndërkaq Nënën Terezë, bota e njeh më shumë dhe ne e njohim më pak. Qëllimi i institutit tonë është që t’i shkëmbejmë njohuritë duke prezantuar para botës dhe publikut shqiptar përmes ekspozitave dhe rrëfimeve që kemi”, tha ai.
Don Lush Gjergji nga Ipeshkvia e Kosovës tha se është munduar në librat e tij të këtë më pak tekst dhe më shumë fotografi, me qëllim që së paku të shihen me sy.
“Dëshiroj që këtë titull, “E kam në zemër popullin tim shqiptar”, prej sot e tutje të shndërrohet “E kam në zemër nënën tonë shqiptare, Gonxhe Bojaxhiun”. Për veprën dhe veprën e saj është shkruar dhe është bërë shumë, kanë bërë botues të ndryshëm, autorë të ndryshëm. Fatmirësisht, ne e kemi përcjell hap pas hapi me 17 vepra kushtuar jetës dhe veprës së Nënës Terezë… Mbase njerëzit lexojnë pak, jam munduar në librat e mia të kem pak tekst e më shumë ilustrime dhe fotografi, dhe në to të lexoni diçka që është hyjnore”, tha ai.
Në hapje të ekspozitës, një fjalë rasti mbajti edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çeku.
“Të gjitha aktivitetet po organizohen në nivelin e denjë, çfarë e meriton dhe ka merituar figura e Shën Nënë Terezës”, tha ai.
Ndryshe, në shënimin e ditëve të Nënë Terezës, këto ditë janë organizuar një sërë aktivitetesh. Nënë Terezë është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta, duke përfshirë: më 1962 Çmimin e Paqes Ramon Magsaysay dhe 1979 Çmimin Nobel për Paqe.

Back to top button