Kurti mori dozën përforcuese anti-COVID dhe vaksinën kundër gripit sezonal

Kryeministri Albin Kurti, sot i është përgjigjur pozitivisht thirrjes së Ministrisë së Shëndetësisë dhe rekomandimeve të ekspertëve shëndetësorë për të marrë dozën përforcuese kundër COVID-19.
Krahas vaksinës kundër COVID-19, njëkohësisht dhe në të njëjtën qendër të vaksinimit, kryeministri Kurti ka marrë edhe vaksinën kundër gripit sezonal.
”Mundësia për të marrë të dyja vaksinat njëkohësisht, na jep mundësinë të mbrohemi nga të dyja sëmundjet, për të mbrojtur veten dhe të tjerët”, është shprehur ai.
Ai ka bërë thirrje që të gjithë qytetarët mbi moshën 18 vjeç të marrin dozën përforcuese të vaksinës pasi të kenë kaluar gjashtë muaj pas marrjes së dozës së dytë.
Doza përforcuese u jepet personave, të cilët i kanë marrë dy doza të vaksinës kundër COVID-19, por te të cilët me kalimin e kohës imuniteti i tyre vjen duke rënë. Ajo jepet gjashtë muaj pas marrjes së dozës së dytë.
MSH-ja përmes një njoftimi ka bërë të ditur se hapat që duhet të mirren për mbrojtjen nga gripi sezonal.
”Duhet të vaksinoheni kundër gripit, mbuloni gojën dhe hundën me maskë, nëse keni shenja të gripit, të kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore, të redukohet numri i vizitave të familjarëve te personat e hospitalizuar (SHSKUK, Spitalet e përgjithshme), të evitoni qëndrimin në vende të mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz”, ka informuar MSH./21Media

Back to top button