Kurti: Mungesa e sanksioneve po e trimëron agresivitetin e Serbisë

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se mungesa e sanksioneve e ka trimëruar agresivitetin e Serbisë. Kurti ka përmendur ndalimin e zyrtarëve policorë të Kosovës dhe qytetarëve të tjerë në pikat kufitare me Serbinë si veprime “të një shteti mafioz”.

“Besoj që zyrtarët e Brukselit do ta kenë parë konferencën e presidentit Vuçiq në kazermën ushtarake në Beograd, të shtunën që shkojë, pikërisht kur u bën 10 muaj nga rrëmbimi i policëve tanë si dhe në ditëlindjen e repartit “Kobra”, repart që i kishte rrëmbyer policët tanë. Shtet mafioz, ku kryemafiozi është njeriu më publik atje, është presidenti”, ka thënë kryeministri.

Kurti u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të gjithë shqiptarët që po mbahen në burgjet e Serbisë të lirohen menjëherë. Shefi i ekzekutivit ka thënë se nuk dihet sa është numri i të ndaluarve.

“U bëj thirrje faktorëve ndërkombëtarë që të gjithë shqiptarët po mbahen në burgjet e Serbisë të lirohen menjëherë, në veçanti zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës. Po them të gjithë shqiptarët, pasi nuk dihet sa prej tyre po mbahen në burg dhe me çfarë akuza”, ka shtuar ai.

Kurti ka apeluar te qytetarët që kalojnë kah Serbia “që të përcjellin njoftimet nga Ministria e Brendshme, Ministria e Jashtme, si dhe nga Policia”.

Back to top button