Kurti: Na duhet bashkërendim më i mirë në çështjet rajonale dhe të politikës së jashtme

Kreu i qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, në hapjen e mbledhjes së përbashkët me Qeverinë e Shqipërisë, ka thënë se marrëdhëniet në mes të dy vendeve janë dëshmi se kur nuk ekzistojnë probleme të pazgjidhura politike, suksesi është i garantuar në të gjitha fushat e tjera.
Sipas kryeministrit të Kosovës, integrimi dhe zhvillimi i qëndrueshëm në gjithë rajonin sigurohet duke i zgjidhur problemet politike në fillim dhe jo në fund.
“Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona janë dëshmi se kur nuk ekzistojnë probleme të pazgjidhura politike, suksesi i marrëdhënieve në të gjitha fushat e tjera është i garantuar, është gjithashtu dëshmi se bashkëpunimi, integrimi dhe zhvillimi i qëndrueshëm në gjithë rajonin sigurohet duke i zgjidhur problemet politike në fillim e jo në fund. Lënia për fund dhe mbajtja pezull e zgjidhjes së problemeve esencial politik mban pezull mosbesimin e ndërsjellë social”, tha Kurti.
Ndër të tjera, Kurti ka thënë se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetët drejtues i politikave.
“Bashkëpunimin dhe integrimin brenda kombit dhe dy shteteve tona e ka lehtësuar fakti se veç sa po e zbatojmë në rastin tonë parimet dhe praktikat tashmë të njohura të Bashkimit Evropian, përderisa edhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetët synimi i ynë i përhershëm dhe drejtues i politikave tona”, tha kryeministri i Kosovës.
Ndërsa lidhur me marrëveshjet që pritet të nënshkruhen sot në mes të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, Kurti ka thënë se të njëjtat synojnë lehtësimin mëtejshëm të jetës së qytetarëve duke ndërtuar infrastrukturën e përbashkët për arritjen e synimeve.
Ai ka përmendur marrëveshjen për pranimin e studentëve në institucionet e arsimit të lartë me të njëjtat procedura, pavarësisht se në cilën anë të kufirit ndodhen.
Gjithashtu, ka përmendur projekt idenë për lidhjen hekurudhore Durrës-Prishtinë.
Kurti gjithashtu është shprehur i kënaqur me zbatimin e marrëveshjeve të deritanishme.

Back to top button