Osmani: NATO i dha vulën çlirimit të vendit tonë

(Lajm i përditësuar)


Në shënim të 24-vjetorit të çlirimit të Kosovës, krerët e shtetit vendosen kurora lulesh te pllaka përkujtimore e ushtarëve të rënë të NATO-s.

Pas homazheve, presidentja e vendit, Vjosa Osmani ditën e sotme e ka quajtur si më të rëndësishmen për vendin tonë.

Osmani është shprehur përherë mirënjohëse për gjithë vizionarët e shtetit, aktivistët, ushtarët e UÇK-së dhe për aleatët që ndihmuan në çlirimin dhe pavarësinë e vendit.

“Sot shënojmë përvjetorin e një prej ditëve më të rëndësishme në historinë e kombit tonë, në historinë e Republikës së Kosovës, ditën kur shteti ynë u çlirua pas një lufte e cila rezultoi me gjenocid ndaj një populli të pafajshëm të Republikës së Kosovës. Tani po nderojmë ushtarët e NATO-s, ata që nga 10 qershori e tutje hynë në Republikën e Kosovës për t’ia dhënë vulën e çlirimit të vendit tonë. Jemi mirënjohës përherë dhe përsërisim këtë mirënjohje në emër të gjithë qytetarëve të Kosovës, për vizionarët e shtetit, për presidentin Rugova, gjithë aktivistët që dhanë gjithçka që të vendosin këto themele. Po ashtu për komandantin legjendar, Adem Jashari dhe gjithë ushtarët e UÇK-së që dhanë jetën e tyre për lirinë tonë, por edhe mirënjohje përjetshme për gjithë miqtë tanë të cilët na ndihmuan që lirinë, pavarësinë dhe demokracinë ta kemi realitet të cilin sot e gëzojnë gjithë qytetarët e Kosovës”, tha Osmani.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjfuca derisa uroi gjithë popullin për këtë ditë, theksoi kontributin ë gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë që gëzon populli sot.

“Çlirimi i Kosovës është shembulli më i spikatur i bashkëveprimit të suksesshëm mes faktorit vendor edhe bashkësisë ndërkombëtare. Për ne ishte dita e ardhjes së lirisë një datë shume e çmuar për popullin e Kosovës, por ishte po ashtu edhe sukses i madh në planin ndërkombëtar. Sepse, dita e çlirimit të Kosovës koincidoi pikërisht edhe me ndalje e gjenocidit të Serbisë ndaj popullit të Kosovës. Kjo natyrisht nuk do të mund të arrihej edhe pa miqtë tanë të çmuar ndërkombëtarë, pa shtetet të cilat e ndihmuan çlirimin e Kosovës. Por kjo ndodhi edhe pikërisht për arsye se kauza jonë ishte shumë e drejtë. Ne gjithçka po kërkonim si popull dhe qytetarë ishte që ta heqim pushtimin, okupimin serb shekullor në Kosovë. Për këtë ditë dhamë edhe shumë, kemi dhënë dëshmorët tanë, martirët e Kosovës dhe kishte shumë sakrifica dhe mund të popullit tonë për çlirim, prandaj ata do të kujtohen dhe nderohen gjithmonë, sepse janë në themelet e lirisë së shtetit tonë”, tha Konjufca.


Kurti: Ndërhyrja e NATO-s e ndali gjenocidin serb 

Kryeministri Albin Kurti, tha se ndërhyrja ushtarake e NATO-s e ndaloi gjenocidin e Serbisë mbi popullin e Kosovës.

Ai shtoi se përulen para dëshmorëve dhe martirëve të kombit dhe të gjithë atyre të cilët dhanë jetën për lirin e popullit dhe çlirimin e Kosovës.

“Pas çlirimit vjen paqja, sot përkujtojmë dhe festojmë 24-vjetorin e çlirimit të Kosovës dhe vendosjen e paqes në vendin tonë, pra 12 qershorin. Bashkë me presidenten e Republikës dhe kryetarin e Kuvendit kujtuam duke vendosur lule të freskat dhe bërë homazhe humanizmin e Rugovës, qëndresën e Demaçit, sakrificën e Jasharajve dhe këtu kontributin e NATO-s. Përulemi para gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit dhe të gjithë atyre të cilët dhanë jetën për lirin e popullit dhe çlirimin e Kosovës. Ndërhyrja ushtarake e NATO-s e ndaloi gjenocidin e Serbisë mbi popullin tonë gjithnjë dhe përgjithmonë jemi falënderues dhe mirënjohës”, tha Kurti.


Krerët e shtetit nderojnë ushtarët e rënë të NATO-s

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, kanë bërë nderime tek pllaka përkujtimore e ushtarëve të rënë të NATO-s.

Fillimisht ata për nder të 12 qershorit – Ditës së Çlirimit të Kosovës, kanë bërë homazhe te varret e ish-presidnetit Ibrahim Rugova e veprimtarit Adem Demaçi, e më pas edhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz.


Krerët e shtetit bëjnë homazhe në Prekaz

Krerët më të lartë të shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari, Glauk Konjufca kanë bërë homazhe te Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, për nder të 24 vjetorit të çlirimit të Kosovës.

Pas homazheve te varri i presidentit Ibrahim Rugova, te ai i veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi dhe në Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, në orën 11:00, krerët e shtetit do të bëjnë nderim edhe te Pllaka Përkujtimore për ushtarët e NATO-s.


Krerët e shtetit nderojnë Rugovën e Demaçin në 24-vjetorin e çlirimit

Krerët e shtetit e nisën ditën me homazhe në ndër të Ditës së Çlirimit të Kosovës.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, kanë bërë homazhe te varri i ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, si dhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi,

Pas homazheve, krerët e shtetit nuk u deklaruan për media.

Ata homazhe do të bëjnë edhe më Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, si dhe te pllaka përkujtimore e ushtarëve të rënë të NATO-s në Prishtinë.


24 vjet nga çlirimi i Kosovës

24 vjet më parë në Kosovë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s dhe bashkë me ta edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara.

Më 12 qershor të vitit 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë në Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës që do të quhej KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze.

E vlerësuar nga ata që e përjetuan si ditë e çlirimit dhe si një ndër ditët më të mëdha të historisë së Kosovës, 12 qershori, ndonëse jo e njohur edhe si festë zyrtare, është një ditë kur nga ushtarakë dhe diplomatë botërorë do të mbahet mend si një ditë gati konfrontimi midis Perëndimit dhe Rusisë, një ditë siç thuhej, ‘që do të mund të niste Luftën e Tretë Botërore.’

Ushtarët e parë të NATO-s që hynë në Kosovë më 12 qershor ishin forcat speciale të Norvegjisë dhe ato të Shërbimit Special Ajror Britanik, duke u gjetur ballë për ballë me trupat e Rusisë të cilët një ditë më parë ‘befasisht’ kishin marrë Aeroportin e Prishtinës me qëllimin e ndarjes së Kosovës.

Rusia synonte prurjen e mijëra përforcimeve nga ajri, mirëpo pas intervenimit nga Washingtoni, Bullgaria, Hungaria dhe Rumania refuzuan kërkesën e Moskës për shfrytëzimin e hapësirës së tyre ajrore.

Pas bllokadës amerikano-britanike të pistës së aeroportit, ministria e Jashtme ruse e quajti ndërhyrjen e ushtarëve të saj ‘një gabim.’ Dhe çdo gjë tjetër tashmë është histori. Hyrja e NATO-s ktheu në Kosovë mbi një milionë shqiptarë.

Hyrja e ushtarëve të NATO-s hapi rrugën e kthimit në shtëpitë, tokën dhe vendin e tyre mbi një milionë shqiptarëve të Kosovës të degdisur refugjatë në dhjetëra vende dhe tre-katër kontinente të botës.

Deri tash kanë shërbyer në Kosovë afër 500 mijë pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të shumë vendeve, kryesisht atyre perëndimore, duke qenë larg familjeve dhe më të dashurve të tyre dhe duke sakrifikuar edhe nga një pjesë të jetës për lirinë, sigurinë dhe paqen në Kosovë.

Back to top button