Kurti në Norvegji: Mirëqenia sociale është ndër prioritetet qendrore të Qeverisë
Kryeministri, Albin Kurti në kuadër të vizitës zyrtare në Norvegji, është takuar me përfaqësuesit e Konfederatës së Sindikatave Norvegjeze dhe Federatës Norvegjeze të Punëdhënësve.
Kurti ka theksuar se mirëqenia sociale është ndër prioritetet qendrore të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Siç bëhet e ditur në komunikatë në takim u potencua se ekonomia duhet të jetë në shërbim të mirëqenies së qytetarëve. Se pagat e mira vijnë nga prodhimi, konkurrenca e bizneseve dhe rritja e eksporteve. U tha se për të mbajtur ekonominë e shëndetshme, për të ruajtur produktivitetin dhe konkurrueshmërinë e prodhuesve, rritja e pagave në ndërmarrjet eksportuese i paraprinë rritjes së pagave të tjera në vend.
Temë diskutimi ishte edhe modeli nordik i organizimit të punës, ku kërkesat e punëtorëve për të drejta, dinjitet dhe mirëqenie nuk bien ndesh me kërkesën e kompanive për konkurrueshmëri, por ndihmojnë e plotësojnë njëra tjetrën në prodhim, produktivitet dhe zhvillim të gjithmbarshëm ekonomik.
Përfaqësuesit e federatave shprehën interesimin për të vizituar Kosovën dhe për të rritur bashkëpunimin./21Media