Kurti në Pjetërshan: Veprat e mira sjellin paqen dhe të mirën e përbashkët

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mori pjesë në ceremoninë e ndezjes së dritave për Krishtlindje, në fshatin Pjetërshan të komunës së Gjakovës.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit duke iu drejtuar të gjithë të pranishmëve, kryeministri tha se simboli i ndezjes së dritave sonte, tregon që kush shkon pas dritës, pas të vërtetës, nuk mbetet në errësirë sepse kush bën vepra të mira, kush e do të vërtetën gjithmonë del në dritë.

“Veprat e mira sjellin paqen dhe të mirën e përbashkët në vendin tonë dhe kudo në botë. Andaj motra dhe vëllezër, me dashuri, për drejtësi, me paqe le të ecim të gjithë përpara së bashku” u shpreh ai.

Ndezja e dritave në këtë fshat tashmë është bërë traditë, i cili ndryshe njihet edhe si “Fshati i dritave”.

Nën organizimin e Famullisë së Shën Josefit, të Pjetërshanit, ky fshat ka arritur ndër vite që të kthehet në një vend atraktiv, i cili ka tërhequr një numër të madh të vizitorëve për shkak të zbukurimeve unike.

Bashkë me kryeministrin Kurti, të pranishëm ishin edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari si dhe zëvendësministri i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Agron Dobruna./21Media

Back to top button