Raportohet se Murseli pranoi se ka paguar për vrasjen e gruas së tij

(Lajm i përditësuar)


Arrestohet një pjesëtar i FSK-së, i dyshuar për vrasjen e Liridona Murselit

Është arrestuar edhe një person nën dyshimin për përfshirje në rastin e vrasjes së L.M., i cili rast fillimisht u cilësua si “Grabitje me pasoja të vrasjes”. Ai është pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Mbrojtjes.

“Në mesin e të arrestuarve si të dyshuar për vrasjen në Prishtinë është edhe pjesëtari i FSK-së, K.K. Organet e drejtësisë janë duke hetuar rastin, por gjithashtu ky rast do të trajtohet edhe brenda organeve përgjegjëse të FSK-së, sipas rregulloreve dhe ligjeve në fuqi. Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës shpreh ngushëllime të sinqerta familjes së viktimës. Siguria dhe mbrojtja e qytetarëve tanë është obligim!”, thuhet në njoftim.


Raportohet se Murseli pranoi se ka paguar për vrasjen e gruas së tij

Bashkëshorti i viktimës L.M., i dyshuari Naim Murseli, e ka pranuar para hetuesve se e ka porositur vrasjen e gruas te i dyshuari G.P, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Burime të “Betimi për Drejtësi” bëjnë të ditur se i dyshuari Murseli ia kishte dhënë të dyshuarit G.P., 15 mijë euro para vrasjes, e 15 mijë të tjera do t’ia jepte pas kryerjes së veprës.


Prokuoria jep detaje rreth arrestimit të Naim Murselit

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka dhënë detaje rreth rastit të arrestimit të dyshuarve për vrasjen e Liridona Murselit më 29 nëntor të këtij viti. Ky rast fillimisht është cilësuar si “grabitje me pasoja të vrasjes”.

“Sipas urdhëresës së Prokurorit të Shtetit dhe me aprovim të gjyqtarit të procedurës paraprake, Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të Prishtinës, në kuadër të Policisë së Kosovës, kanë realizuar bastisje në dy lokacione në Gjakovë, me ç’ rast nga ky aksion janë arrestuar personat G.P. (dorasi) dhe N.M. (bashkëshorti i viktimës), të dyshuar në vrasjen e viktimës, si dhe është sekuestruar arma e cila dyshohet të jetë përdorur në këtë rast.”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se aktualisht, të dyshuarit janë duke u intervistuar në stacionin policor, derisa ndaj të njëjtëve prokuroria do t’i ndërmerr veprimet e mëtjme ligjore.


E konfirmon ministrja Haxhiu: Njëri nga të arrestuarit është Naim Murseli, bashkëshorti i viktimës

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka konfirmuar se njëri nga të arrestuarit nën dyshimin për vrasjen e Liridona Murselit, është bashkëshorti i saj Naim Murseli.

“Me punë intesive, angazhim dhe bashkëpunim ndërmjet policisë dhe prokurorisë, janë arrestuar dy persona të cilët dyshohen për vrasjen e gruas në Prishtinë. Njëri nga personat e arrestuar është bashkëshorti i të ndjerës Liridonës, i cili sipas dyshimeve ishte përpjekur ta fshihte krimin e rëndë duke thënë që ishin cak i një grabitje.”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Më tej ajo ka vlerësuar angazhimin e policisë dhe prokurorisë për sqarimin e rrethanave të rastit.

“Vlerësoj lartë angazhimin e policisë dhe prokurorisë për sqarimin e rrethanave që shpiejnë në zbardhjen e këtij krimi të rëndë që mori jetën e të ndjerës Liridonës. Ky krim nuk do të mbetet pa u ndëshkuar. Kriminelët do të përballen me drejtësinë.”, ka përfunduar Haxihiu


Arrestohen dy të dyshuar për vrasjen e Liridona Murselit

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për vrasjen e Liridona Murselit.
Këtë për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Pas përfundimit të ekzaminimit të vendit të ngjarjes, janë ndërmarrë veprime intensive hetimore të cilat kanë rezultuar në arrestimin e dy personave të dyshuar lidhur me rastin”, ka thënë Ahmeti.

Ajo ka shtuar se njësiti i hetimeve të përgjithshme të Prishtinës në koordinim me Prokurorinë është duke e vazhduar operacionin e bastisjes në dy lokacione në Gjakovë.

Raportohet se njëri nga te arrestuarit është bashkëshorti i viktimës, Naim Murseli./21Media

Back to top button