​Kurti në Samitin e Londrës: Vendi im quhet Republika e Kosovës, jo “Kosova e Metohija”

(Lajm i përditësuar)

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Samitin e Investimeve në Ballkanin Perëndimor që po mbahet në kuadër të Samitit në Londër ka deklaruar se Kosovën e njohin 3 nga 4 vendet fqinje, duke shtuar se njihet si Republika e Kosovës “e jo si Kosova e Metohija”.

Ai tha se po t’i referohej Kosovës me “Metohija”, duhej t’i referohej edhe Serbisë më ndryshe.

“Vendi im quhet Republika e Kosovë, jo si i është referuar këtu ‘Kosova e Metohija’. Po të shkoja në këtë rrugë do të merrja shumë kohë, pasi pos Serbia, do të duhej të thosha Serbia e Vojvodina, Sanxhaku, Toplica Rashka dhe Lugina e Preshevës. Më mirë të përqendrohemi në ekonomi”, ka thënë kryeministri.

Kyeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, teksa ftoi për investime të huaja në vendin e saj, tha se qeveria e re do të formohet shpejtë, derisa disa herë duke iu referuar Kosovës, tha “Kosovo Metohija”.


​Kurti në Samitin e Londrës: Kosova në vijë me SHBA-në e Britaninë në vlerat politike dhe të biznesit

“Jemi të dedikuar për rendin, ligjin dhe luftën kundër korrupsion në vijë me Amerikën dhe Anglinë, si në vlerat politike po ashtu edhe në ato të biznesit, sidomos pas agresionit rus në Ukrainë”, kështu ka thënë kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në Samitin e Investimeve në Ballkanin Perëndimor që po mbahet në kuadër të Samitit në Londër.

Kurti ka përmendur edhe përparimin në zhvillim ekonomik dhe stabilitetin institucional, që sipas tij, ka ndihmuar për t’i luftuar rreziqet për sigurinë.

“Kosova udhëheq Ballkanin Perëndimor sa i përket projektimeve në vitet 2024-2025, kemi po ashtu përparime në rend dhe ligj dhe avancime në të drejtat politike, civile dhe demokracinë zgjedhore. Kjo e pozicionon Kosovën në një situatë të favorshme në hartën globale. Kemi një fuqi punëtore, mosha mesatare e Kosovës është 31-vjecare. Kemi ekonomi të tregut të hapur që krijon një ambient të mirë për bizneset. Jemi të vendosur mirë për investime teknologjike, nga 23 vende evropiane, Kosova del e 11-ta në rangim, duke i lënë prapa të gjitha vende kandidate për anëtarësim në BE. Në këto tri vjet kemi dyshuar si eksportet, ashtu edhe investimet e drejtpërdrejta të huaja, na nevojiten ende investime të këtij lloji”, është shprehur ai.


​Kurti sot në Samitin e Londrës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të marrë pjesë sot në Samitin e Investimeve në Ballkanin Perëndimor 2024, i cili do të mbahet në selinë e BERZH-it në Londër.

Në këtë aktivitet do të marrin pjesë të gjashtë krerët e qeverive nga rajoni, të cilët kanë konfirmuar pjesëmarrjen.

Qëllimi i Samitit është të nxjerrë në pah mundësitë e mundshme për investime dhe biznes në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe të promovojë projekte rajonale dhe ndërkufitare.

Ky është samiti i gjashtë i BERZH-it i këtij lloji.

Samiti përurues i Ballkanit Perëndimor u zhvillua 10 vjet më parë, në shkurt 2014 dhe, për herë të parë, mblodhi së bashku të gjithë kryeministrat e rajonit.

Ballkani Perëndimor është një rajon prioritar për BERZH-in. BERZH mbetet një nga investitorët më të mëdhenj institucionalë në vendet e rajonit, me më shumë se 18 miliardë euro të investuara deri më sot.

Pika kryesore tradicionale e Samitit – Sesioni i kryeministrave interaktiv – do të shohë që liderët rajonalë dhe presidenti i BERZH-it t’i drejtohen audiencës me vizionin e tyre të përgjithshëm për rajonin, projektet kyçe rajonale dhe mundësitë për investime në nivel rajonal dhe në secilin të vendeve të rajonit, ku përfshihen Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Sesioni do të ketë pyetje dhe përgjigje të zgjeruara me investitorët e huaj.

Duke qenë se tranzicioni i gjelbër është prioriteti kryesor i Bankës në rajon, do të ketë një panel të veçantë për Energjinë e Gjelbër në Ballkanin Perëndimor, i cili do të bashkojë politikëbërësit kryesorë (të parashikuar në nivel ministror) dhe investitorët për një diskutim mbi maksimizimin e kapitalit privat. mobilizimi për të përshpejtuar dekarbonizimin e rajonit.

Back to top button