Kurti në “Trepçë”: Nuk do të ketë asnjë individ as grup më të fuqishëm se shteti
Kryeministri Albin Kurti së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli vizituan në mëngjes ndërmarrjen “Trepça”.
Nga atje, kreu i Qeverisë së Kosovës dha porosi të qarta për personat që ditë më parë sulmuan kryesuesin e bordit dhe ushtruesin e detyrës së kryeshefit të kësaj ndërmarrje.
Kurti tha se dënon ashpër sulmin, i cili, siç u shpreh, është i drejtuar kundër “Trepçës” dhe nuk është për të mirën e Kosovës.
“Unë u njoftova hollësisht prej kryesuesit dhe u.d së kryeshefit mbi gjendjen dhe zhvillimet e fundit në Trepçë. Na vjen shumë keq se çfarë ka ndodhur, pra një sulm i organizuar dhunshëm mbi udhëheqjen, por me këtë rast e dënojmë ashpër këtë sulm të tillë, i cili është i drejtuar kundër Trepçës dhe nuk është për të mirën e Kosovës”, tha Kurti.
Ai u zotua si kryeministër se nuk do të ketë asnjë individ as grup më të fuqishëm se shteti, shkruan rtv21.tv
“Ata të cilët si individ ose grupe, synojnë apo dëshirojnë të jenë më të fuqishëm se shteti ata bien ndesh me ligjin dhe kushtetueshmërinë tek ne. U.d, Enis Abdurrahmani, e ka mbështetjen time të plotë bashkë me Bahriun që është kryesues i Bordit këtu”, tha Kurti.
Tutje, kryeministri bëri të ditur se personat që sulmuan drejtorin e Administratës dhe u.d së kryeshefit kanë kërkuar që këta të fundit t’i tërheqin deklaratat në Polici.
“Këshilli grevistë ka bërë kërkesë që ata të cilët e kanë pësuar dhunën e atij grupi prej dhjetëra njerëzve, që nuk dihet bash krejt kush janë, që këta që i kanë paraqitur deklaratat në Polici, t’i tërheqin ato. Merreni me mend, nuk ju ka mjaftuar që e kanë sulmuar drejtorin, por kërkojnë që edhe t’i tërheqin deklaratat”, tha Kurti, duke shtuar se këto deklarata nuk do të tërhiqen.
“Punëtorët mos të bien pre e një këshilli grevistë i cili e ka bërë këtë”, shtoi Kurti.
Kryeministri premtoi investime në “Trepçë” në mënyrë që të rritet prodhimtaria, poashtu dhe punësime.
“Kemi nevojë për më shumë minatorë dhe inxhinierë, kemi nevojë për shtim dhe freskim të punëtorëve”, përfundoi ai./21Media