Kurti në Vjenë diskutoi për sfidat madhore të Kosovës dhe demokracinë në Evropën Juglindore

Kryeministri Albin Kurti gjatë diskutimit në Vjenë “Kosova: Një rreze shprese për demokraci në Evropën Juglindore?”, ka diskutuar për stabilitetin institucional dhe qeverisja demokratike në Kosovë.
Soiç ka informuar Zyra e Kryeministrit, Kurti ka folur për sfidat madhore për Kosovën, demokracinë në Evropën Juglindore dhe më gjerë dhe se si mund të forcojnë demokracitë njëra-tjetrën.
“Jemi krenarë që kemi një kabinet qeveritar me ministra të arsimuar dhe qytetarë qëllim-mirë“, tha kryeministri. Ai theksoi diversitetin dhe solidaritetin e kabinetit, ku nga 15 ministri, pesë udhëhiqen nga gratë, ndërsa dy zëvendësministre janë gra. Po ashtu, në qeveri ka përfaqësim te komuniteteve që jetojnë në Kosovë, me një zëvendëskryeministre boshnjake, një ministër serb, një ministër turk dhe një ministër nga komuniteti egjiptian në Kosovë”, ka thënë Kurti.
Duke folur për zhvillimet e muajve të fundit, kryeministri Kurti ka theksuar përqendrimin e Qeverisë në punësim dhe drejtësi, dy nga prioritetet për të cilat është votuar nga populli. Ai ka veçuar operacionet e ndërmarra nga organet e rendit në luftimin e korrupsionit dhe shkatërrimin e grupeve kriminale.
Kurti ka kërkuar edhe liberalizimin e vizave si dhe ka përmendur edhe nevojën për mbështetje edhe për njohje të pavarësisë nga pesë vendet mosnjohëse.
Ky diskutim është mbajtur në kuadër të vizitës zyrtare dy ditore që Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po zhvillon në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë.
Gjatë kësaj vizite, krahas takimeve tjera zyrtare, kryeministri Kurti do të zhvillojë takim bilateral me Kancelarin e Austrisë, Alexander Schallenberg, me të cilin do të diskutojë mbi marrëdhëniet në mes Republikës së Kosovës dhe Austrisë dhe mënyrat e fuqizimit të tyre nëpërmjet rritjes së bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët./21Media

Back to top button