Kurti: Nëse do të nënshkruhej drafti për Asociacionin do të kontrollohej nga Kushtetuesja

(Lajm i përditësuar)


Kurti: Vuçiq i ka rënë pishman që ishte pro-marrëveshjes bazike

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti deklaroi sot se Serbia po insiston të dërgojë letra anësore, të cilat e sulmojnë marrëveshjen bazike dhe aneksin zbatues.

Para gazetarëve, ai u shpreh se mbrëmë kanë kuptuar që presidenti i Serbisë kërcënon dhe përmbush këto kërcënime me letra, të cilat nuk e pranojnë integritetin territorial të Kosovës.

Para gazetarëve, Kurti shtoi se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq duket se i ka rënë ‘pishman’ që kishte qenë pro-marrëveshjes bazike.

“Presidenti i Serbisë nuk po nënshkruan, sepse ai i ka thënë “po” marrëveshjes bazike dhe aneksit zbatues në mënyrë që të mos nënshkruajë, e tash duket se i ka rënë pishman që ka thënë po. Nuk është e rastësishme që ka filluar gjithnjë më shpesh të përsërisë atë vargun se e pranon marrëveshjen në koncept, por jo në përmbajtje, ndërkaq në anën tjetër zbatimin në mënyrë të kufizuar. Ky është sulm i drejtpërdrejtë në marrëveshjet që kemi bërë në Bruksel dhe në Ohër, e që janë edhe pjesë e konkluzioneve të BE-së, përkatësisht të Këshillit Evropian. Në të kaluarën lavdëroheshin me nënshkrimet që bënin me pararendësit e mi, ndërkaq tash nuk duan, pikërisht për shkak të përmbajtjes, për shkak të kuptimit që kanë këto tekste të këtyre marrëveshjeve. Sikur të mos mjaftonte kjo, ata gjithnjë insistojnë që do dërgojnë letra anësore, shkresa shtesë, të cilët praktikisht e sulmojnë edhe zyrtarisht dhe formalisht marrëveshjen bazike dhe aneksin zbatues. Mbrëmë morëm vesh, se presidenti i Serbisë kërcënon dhe i përmbush ato kërcënime me këso letra që thonë tri gjëra, ‘Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, është kundër anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe nuk e pranon integritetin territorial të Kosovës’. Kjo e treta në fakt është një shtesë, sepse këto dy të parat i kemi dëgjuar edhe më herët. Është qartazi tendencë për sulm ndaj Kosovës deklarata e tillë e papërgjegjshme se integriteti territorial i Kosovës na qenka i pa pranueshëm”, ka thënë kryeministri Kurti.

Kurti shtoi se Federata Ruse para sulmit në Ukrainë thoshte që nuk e pranon integritetin territorial të Ukrainës. Tutje, theksoi se Kosova me 24 shtator ka përjetuar cenim të integritetit territorial, të sovranitetit shtetëror dhe sigurisë kombëtare.

“Mirëpo, përkundër kësaj, në vend se të kemi ekstradim të grupit terrorist të Radoiçiqit, ne kemi kërcënime të këtilla nga Brukseli, jo nga Beograd, kërcënime nga Brukseli prej presidentit të Serbisë që nuk njihet integriteti territorial i vendit tonë. Ndërkaq, marrëveshjet bazike thuhet se njihen, janë shumë të qarta në përmbajtjen e tyre dhe besoj se me ato deklarata është shkelur edhe marrëveshja bazike, duke u sulmuar integriteti territorial i vendit nga askush më pak se sa presidenti i Serbisë”, deklaroi ai.


Kurti heziton të përgjigjet se çfarë përmban propozimi i BE-së: Emisarët kanë kërkuar të mos flasim

Kryeministri Albin Kurti nuk pranoi të përgjigjet kur u pyet çfarë përmban propozimi që solli pesëshja, duke thënë se për këtë i është kërkuar nga emisarët që të mos flasë në detaje.

“E respektojmë kërkesën e pesë emisarëve, derisa na kërkohet të mos flasim konkretisht për të. Emisarët kanë deklaruar se e kanë shkruar me kujdes duke pasë parasysh Kushtetutën dhe ligjin. Për bindjen tonë të fuqishme, vetëmenaxhimi i komunitetit serb në Kosovë, s’do të duhet të harrojë sa shumë ka bërë Kosova për serbët që janë të pashembullta edhe për Evropën”., tha Kurti.

“Kemi hapa prapa, për shkak të militarizimit të politikës atje. Politika atje mendon dhe vepron me gjuhën e forcës, e cila kur nuk janë organet e sigurisë, janë grupet paramilitare që sponzorizohen nga shteti”., shtoi ai.


Kurti: Nëse do të nënshkruhej drafti për Asociacionin do të kontrollohej nga Kushtetuesja

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se drafti i Asociacionit që është sjellë se pesëshja perëndimore do të kontrollohet nga Gjykata Kushtetuese.

“Më 21 tetor, nga emisarët amerikano-evropianë na është thënë se drafti për vetëmenaxhim është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe strukturës së Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës dhe që nëse do të nënshkruhej aty parashihej që ta kontrollonte Gjykata Kushtetuese menjëherë, pra që Kushtetuesja të japë vlerësimin e saj për kushtetutshmërinë e këtij propozimi si përgjigje”, tha Kurti./21Media

Back to top button