Kurti e Konjufca e përshëndesin njohjen e shtetësisë nga Xhamajka

Kurti e Konjufca e përshëndesin njohjen e shtetësisë nga Xhamajka

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka vlerësuar fillim të mbarë për diplomacinë e Kosovës dhe qeverinë e re njohjen nga Xhamajka.

“Një vend i rëndësishëm i Karaibeve dhe një pjesë e rëndësishme e Kombeve të Komonuelthit njohën zyrtarisht Republikën e Kosovës. Një fillim i mbarë i vitit 2020 për diplomacinë e Kosovës dhe qeverinë e re. Dua të falënderoj njerëzit dhe qeverinë e Xhamajkës si dhe kryeministrin, Andrew Holness. Mezi pres që të bashkëpunojmë dhe t’i tregojmë mirënjohjen e Kosovës në çdo mundësi të ardhshme”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Edhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca e ka falënderuar shtetin e Xhamajkës për njohjen e Republikës së Kosovës.

“Njohja e Republikës së Kosovës është një moment i veçantë i miqësisë në mes të vendeve tona. Qeveria e Republikës së Kosovës do të përcjellë, përmes kanaleve diplomatike, gatishmërinë për të inicuar lidhjen e marrëdhënieve diplomatike në mes të dy vendeve tona dhe për të thelluar miqësinë dhe bashkëpunimin në mes të dy shteteve dhe popujve tanë”, ka shkruar Konjufca në Facebook./21Media