Kurti: Normalizimi i raporteve me Serbinë bëhet vetëm me njohje reciproke
Normalizimi i raporteve me Serbinë mund të bëhet vetëm nëpërmjet njohjes së ndërsjellë. Kështu tha Albin Kurti, në kuadër të Forumit Ekonomik në Maqedoninë e Veriut.
Ai shtoi se një gjë e tillë është deklaruar edhe nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden, sekretari amerikan Antony Blinken e kancelari gjerman Olaf Scholz.
“Marrëdhëniet tona me Serbinë janë jonormale dhe duhet t’i normalizojmë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona, dhe mendoj se normalizimi i marrëdhënieve mund të bëhet me njohje të ndërsjellë si pjesë qendrore të saj. Kjo është thënë nga Presidenti Biden, nga Sekretari Blinken, kancelari Scholz që njohja e ndërsjellë është esenca, pjesa qendrore për normalizim të plotë marrëdhënieve me Serbinë, për të cilën jemi duke u munduar me shumë zell ta ndërtojmë dhe të vazhdojmë tutje me propozimin e BE-së, i cili na është prezantuar dhe e kemi pranuar mbi atë tekst dhe është miratuar në të dy kryeqytetet, si dhe në Bruksel”, ka thënë Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u pajtuan në takimin e 27 shkurtit në Bruksel për ta çuar para procesin e dialogut përmes pranimit të propozimit të Bashkimit Evropian, ndonëse i njëjti nuk u nënshkrua nga të dy liderët./21Media