Osmani mirëpret ftesën e Biden: Demonstruam përkushtimin tonë për forcimin e demokracisë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka pritur mirë ftesën e presidentit amerikan, Joe Biden për të marrë pjesë në Samitin për Demokraci teksa ka theksuar se Kosova me angazhimet e saj ka demonstruar përkushtimin për forcimin e demokracisë.
“E kënaqur për të pranuar ftesën e Biden për t’u bashkuar me liderët anembanë globit për edicionin e dytë të Samitit për Demokraci”
“Ne kemi arritur momente të rëndësishme në angazhimet tona në vitin e kaluar, duke demonstruar përkushtimin tonë për forcimin e demokracisë dhe vlerave tona të përbashkëta”, ka shkruar ajo.
Delighted to accept @POTUS Biden’s invitation to join leaders across the globe for the 2nd edition of the #SummitForDemocracy
We’ve achieved significant milestones in our commitments in the past year, demonstrating our dedication to strengthening democracy and our shared values. pic.twitter.com/Lntlso0Jb7
— Vjosa Osmani (@VjosaOsmaniPRKS) March 1, 2023
10:59-Biden fton Osmanin në Samitin e Dytë për Demokraci, do të jetë një ndër folëset kryesore
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë ftesë nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden për të marrë pjesë në Samitin e Dytë për Demokraci.
Kështu u bë e ditur përmes një njoftimi nga Zyra e Presidentes.
Sipas ftesës, përveç fjalimit që do të mbajë krahas krerëve të shteteve të tjera sipas formatit të vitit të kaluar, Presidentja Osmani është përzgjedhur edhe në mesin e dhjetë liderëve që do të jenë folës kryesor në seancën plenare në të cilën do të diskutohet për rolin e demokracisë në krijimin e institucioneve stabile.
Samiti për Demokraci është nismë e Shtëpisë së Bardhë që mëton të nxjerrë në pah suksesin e demokracisë në dobi të qytetarëve si dhe adresimin e sfidave më të vështira botërore.
Më 9 dhjetor 2021, Presidentja Osmani përfaqësoi Kosovën në edicionin e parë të Samitit për Demokraci, platformë që ka bashkuar vendet anekënd globit në përpjekjet e tyre për të konsoliduar vlerat demokratike dhe për t’i promovuar e fuqizuar tutje ato.
Republika e Kosovës, përgjatë vitit që shkoi, ka arritur suksese të rëndësishme në të tri zotimet të cilat kishin për qëllim fuqizimin e sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, luftimin e autoritarizmit, avancimin e të drejtave të njeriut, diversitetin dhe gjithëpërfshirjen me fokus në avancimin e të drejtave të grave dhe barazisë gjinore.
Për shkak të këtij suksesi, nga më shumë se 100 shtete pjesëmarrëse, Presidenca e Republikës së Kosovës, është përzgjedhur nga Shtëpia e Bardhë që të bashkë-udhëheqë me grupin tematik për sundim të ligjit./21Media