Kurti: Nuk është që Kuvendi i Kosovës nuk ka marrë edhe vendime të mira

“Na duhet qeveria për të zbatuar edhe Rezolutën mbi gjenocidin e kryer nga Serbia”

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kujtuar se nesër bëhen tetë muaj prej kur në Kuvendin i Kosovës u miratua Rezoluta mbi gjenocidin e kryer nga Serbia në Kosovë.

Kurti ka thënë që 15 janari, ishte shpallur si Ditë e Përkujtimit të gjenocidit ndaj shqiptarëve.

E për të zbatuar këtë Rezolutë dhe vendime tjera të mira që i ka marrë Kuvendi i Kosovës, Kurti tha se nevojitet qeveria dhe institucionet.

“Nesër bëhen tetë muaj prej kur në Kuvendin e Republikës u miratua Rezoluta mbi gjenocidin e kryer nga Serbia në Kosovë. Aty u vendos që 15 janari, pra dita e masakrës së Reçakut, të shpallet Ditë e Përkujtimit të gjenocidit ndaj shqiptarëve në Kosovë. Rezoluta i referohet konventave, deklaratave, gjykatave, rezolutave dhe raporteve të ndryshme ndërkombëtare. Në bazë të të dhënave zyrtare listohen faktet e krimeve të gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës në Kosovë. Rezoluta përmban kërkesa ndaj Serbisë por edhe zotime tonat si shtet për të sjellur drejtësi, reparacion e rehabilitim për viktimat. Miratimi asokohe u bë me 79 vota PËR. Nuk është që Kuvendi i Kosovës nuk ka marrë edhe këso vendimesh të mira, prandaj tash na nevojiten qeveri dhe institucione të vullnetshme që do t’i respektonin e zbatonin ato”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ndryshe, familjarë, qytetarë e krerë shtetëror ishin sot në Reçak për të bërë homazhe në 21 vjetorin e masakrës së këtij fshati në nderim të 45 viktimave. Të mbijetuar të masakrës dhe banorë të këtij fshati kërkojnë që drejtësia të vihet në vend./21Media

Back to top button