Kurti nuk i përgjigjet Mustafës për “Republikën e Tretë”

 

Kryetari i Vetëvendosjes (VV), Albin Kurti nuk ka komentuar deklaratat e të parit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa lidhur me aleatët e tij për “Republikën e Tretë”. Kurti është përgjigjur shkurt duke thënë se nuk ka mundësi t’i ndjek deklarimet e të tjerëve.

Megjithatë, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti gjatë deklarimit të tij tha se Kosova ndodhet para një referendumi gjithëpopullor që shënon dalje nga kriza për vendin.

“Republika e Kosovës është para një referendumi gjithëpopullor me të cilin numri 127 shënon avancimin socio-ekonomik euroatlantik dhe gjithashtu daljen nga kjo krizë e shumëfishtë. Unë nuk po kam mundësi që t’i ndjek deklaratat e të tjerëve shpjegimet për të cilat do të duhej t’i japin ata vetë“, tha Kurti.

Kurti ka deklaruar se pas ardhjes së tij në krye të ekzekutivit do ta nxjerrin Kosovën nga pazaret me Serbinë dhe se në çdo takim me ndërkombëtarët do t’ia kërkojë borxhin Serbisë.

Këto komente Albin Kurti i bëri pas homazheve që bëri së bashku me pjesëtarët tjerë të partisë te pllakat përkujtimore e Mon Balajt dhe Arben Xheladinit të cilët u vranë 14 vite më parë derisa po protestonin kundër negociatave të Kosovës me Serbinë dhe Pakos së Ahtisaarit.

Mëngjesin e së mërkurës, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa i ka reaguar përmes një postimi kreut të VV-së Albin Kurti lidhur me “Republikën e Tretë” dhe vendosjen e shamive të kuqe nëpër qytetet e Kosovës.

Back to top button