Kurti: Nuk jemi kundër dialogut, por e duam parimor
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka treguar për detajet e takimit me përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Kurti duket se nuk është bindur as pas takimit me Lajçak, që dialogu të jetë prioriteti i parë ose i dytë – dhe jo i katërti.
Ai ka thënë se nuk e mohon rëndësinë e dialogut me Serbinë, por ai duhet të jetë i përgatitur mirë dhe i sinqertë.
“Më informoi me procesin e dialogut në përgjithësi. Unë shpjegova edhe një herë që ne i kemi fituar këto zgjedhje me programin tonë që përqendrohet te drejtësia dhe punësimi, se jemi në kushtet e pandemisë COVID-19, dhe se nuk jemi kundër dialogut, por e duam parimor dhe të përgatitur mirë”, ka thënë ai.
Kreu i Vetëvendosjes tutje nuk ka dhënë datë se kur mund të rifillojë dialogu.
“Nuk ka datë, sepse duhet të formojmë qeverinë, duhet të bëhet certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve. Qeveria do ta ketë edhe ministrin e jashtëm për të gjitha punët e ekzekutivit. Unë nuk jam kundër dialogut në parim, jam për dialog parimor”, ka thënë ai.