Kurti: Para zgjedhjeve në veri, banditët duhet të arrestohen në Kosovë ose të kthehen në Serbi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se para se të mbahen zgjdhjet në veri, duhet të kthehen në Serbi, ose të arrestohen në Kosovë banditët që shkaktuan dhunë në protestat në veri.

Ai këto deklarata i ka bërë në një intervistë për NBCNews të premten.

“Para se të kemi zgjedhje të hershme, duhet të kemi sundimin e ligjit në vend, që këta banditë, ekstremistë të dhunshëm që u paraqitën të jenë para ligjit dhe më pas të ketë kushte dhe fushatë fer dhe të hapur për zgjedhje demokratike”, ka thënë Kurti.

Ai po ashtu ka paralajmëruar se detajet do t’i diskutojnë me të dërguarin e SHBA-së, Gabriel Escobar dhe lehtësuesin e BE-së, Miroslav Lajçak, javën e ardhshme.

“Duhet të jemi të sigurt që të zbatohet marrëveshja e Brukselit e cila e ka njohjen de-facto. Për shtensionim këta banditë, këta ekstremistë të kthehen në Serbi ose të arrestohen në Kosovë. Dhe pastaj zgjedhje të hershme. BE-ja të jetë aktive në këtë dialog. Javën tjetër, Lajçak dhe Escobar do të vijnë në Kosovë dhe do të diskutojmë detajet. Besoj në zgjedhjet e hershme, por fillimisht kemi nevojë për sundim të ligjit dhe fushatë fer para zgjedhjeve”, ka thënë Kurti.

I pari Qeverisë gjithashtu ka thënë se ndërkombëtarët janë shqetësuar ngase sipas tij Vuciq mund ta destabilizonte rajonin.

“Çfarë kemi bërë, ishte detyra jonë. Sundimi i ligjit, respektimi i të drejtave të njeriut dhe respektimi i kryetarëve. Por papritmas ka pasur shumë shqetësime në botën demokratike perëndimore pasi presidenti serb mund ta destabilizojë jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se Policia e Kosovës nuk ka ushtruar dhunë mbi protestuesit duke mohuar kështu pretendimet sebe.

“Nuk ka evidencë që Policia e Kosovës përdori dhunë. Policia e Kosovës është më profesionalja në Ballkan, ka qenë e trajnuar nga SHBA-ja, UK, dhe BE-ja. Në anën tjetër, kemi banditët që janë aty për destabilizuar Kosovën”, ka thënë Kurti, i cili ka shtuar se Rusia nuk e do suksesin e Kosovës për shkak se është sukses i intervenimit të NATO-s dhe i zhvillimit demokratik./21Media

 

Back to top button