Kurti pas shkarkimit të bordit të AKP-së: Të mirat vijnë ngadalë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas vendimit të Kuvendit për shkarkimin e bordit të AKP-së ka thënë se ky është vetëm hap ii parë drejt shuarjes së këtij institucioni.
“Të mirat vijnë ngadalë, por të këqijat duhen ndalur shpejt. Sot Kuvendi votoi për shkarkimin e bordit të AKP-së, që të ndalet tjetërsimi e zhvatja. Ky është vetëm hapi i parë drejt shuarjes së këtij institucioni, gjë që hap rrugën për themelimin e Fondit Sovran”, ka shkruar i pari i Qeverisë në “Facebook”.
Ndërsa ka shtuar se si Qeveri, janë autorizuar që të propozojnë një bord të ri para Kuvendit, bord i cili që sipas tij do të ketë një mandat të ri, në përputhje me strategjinë zhvillimore të Qeverisë.
Sot Kuvendi i Kosovës shkarkoi bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) me 65 vota për, 2 kundër dhe asnjë abstenim./21Media