Kurti pas takimit me Lajçakun dhe Escobarin: Rruga përpara, ndalimi i menjëhershëm i sulmeve nga grupet kriminale
Pas takimit me emisarët evropianë dhe amerikanë Miroslav Lajcak dhe Gabriel Escobar zyra e kryeministrit të Kosovës përmes një komunikate për media ka dhënë detaje për bisedat që janë zhvilluar në takim.
Sipas njoftimit, kryeministri tha se rruga përpara është ndalimi i menjëhershëm i sulmeve nga ekstremistë të dhunshëm dhe grupe kriminale ndaj organeve të sigurisë vendore dhe ndërkombëtare si dhe gazetarëve.
Kurti ftoi Brukselin dhe Washingtonin që të bëjnë thirrje për ndalim të dhunës dhe ndjekje penale e ndëshkim të kryerësve të saj.
”Vetëm sundimi i ligjit mund t’i hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme, të lira, demokratike e të ndershme. E tillë duhet të jetë edhe fushata parazgjedhore, theksoi kryeministri Kurti. Kandidatët dhe votuesit në zgjedhjet e reja duhet të garojnë e marrin pjesë pa frikë e kërcënime. Rendi dhe ligjshmëria sigurisht që do të zvogëlonin proporcionalisht edhe numrin e policëve në ndërtesat komunale në tri komunat veriore. Kryeministri Kurti shprehu gatishmërinë e parezervë dhe mirëbesimin e palëkundur për angazhim intensiv e të përbashkët për de-eskalim të gjendjes dhe normalizim të marrëdhënieve”, thuhet në komunikatën e dëguar për media.
Tutje bëhet e ditur se u shkëmbyen mendime mbi gjendjen dhe zhvillimet e fundit, ide për de-eskalim të situatës në veri dhe urgjenca për zbatim të Marrëveshjes Bazike e Aneksit të zbatimit.
Në takim me Kurtin ishte edhe zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi./21Media