Kurti për BBC: Bisedimet s’kanë qenë të lehta, por rezultati është i kënaqshëm
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka folur për marrëveshjen e arritur me Serbinë mbi lëvizjën e lirë të qytetarëve në BBC World Service.
Kurti u shpreh i lumtur se është arritur kjo marrëveshje, por gjithësesi, ai tha se bisedimet në Bruksel nuk kanë qenë fare të lehta.
“Jam i sigurt se me programet tona, ne do t’i ndihmojmë serbët në Kosovë, po aq sa shqiptarët. Nëse i pyesni serbët në Kosovë, cilat janë shqetësimet e juaja apo kërkesat e juaja, ata do të thonë punë dhe drejtësi, por Beogradi e dëshiron një shtet brenda një shteti, një shtet serb brenda shtetit të pavarur të Kosovës. Unë dua që dialogu të jetë për të drejtat dhe nevojat e qytetarëve, e jo për shkëmbim territoresh. Jemi republikë demokratike dhe nuk besoj se dikush e do atë gjë, madje as serbët nuk e duan. Serbia është në panik për shkak të progresit tonë. Po ne kemi pasur bisedime ne Bruksel që nuk kanë qenë të lehta, por rezultatet janë të kënaqshme sepse tani kemi reciprocitet mes Kosovës dhe Serbisë, në kuptimin e lëvizjes së lirë, për qytetarët e të dyja vendeve. Falënderoj Borrellin, Lajcak dhe Escobar për punën e zellshme në Prishtinë e Beograd, në të njëjtën kohë i falënderoj qytetarët e Kosovës për mbështetjen”, tha Kurti për BBC./21Media