Kurti për dialogun: Jemi në rrugën e duhur…

Kryeminstri i Kosovës pas përfundimit të Samitit të Berlinit ka thënë se është herët të diskutohetpër detajet e marrëveshjes finale duke shtuar se janë në rrugën e duhur.
Ai tha se propozimet dhe idetë që bazohen në vlera evropiane, gjejnë mirëkuptim dhe angazhim.
“Jemi në rrugën e duhur për të diskutuar kornizën e përgjithshme të marrëveshjes sepse deri më tani shpesh herë është diskutuar për hapa të vegjël dhe momenti i ndryshimit ka qenë takimi në Bruksel më 18 gusht. Aty për herë të parë temat aktuale kanë qenë pikë e dytë e rendit të ditës në agjendë. Pika e parë ka qenë korniza e përgjithshme e dialogut. Si temë prioritare këtu vijnë propozimet dhe idetë, dhe të gjitha këto propozime që bazohen në vlera evropiane, shprehi mirëkuptimin tim, dhe angazhimin tim konkret. Por kjo tregon që jemi në shtegun e duhur dhe kemi bazën e mirë, mirëpo ka shumë punë që të flitet për ndonjë farë përmbajtje përfundimtare. Është ende herët”, ka thënë Kurti.
Për çështjen e detajeve sa i përket bisedimeve, Kurti thotë se është respekt ndaj ndërmjetësit konfidencialiteti duke thënë se është transparent në lidhje me procesin por, që siç tha ai, princip i ndërmjetësit “është konfidencialiteti i bisedimeve”.
I pari i Qeverisë së Kosovës ka theksuar se Qeveria e Kosovës nuk do të bëjë ndonjë marrëveshje që e cënon integritetin territorial të vendit dhe se Kosova është e gatshme sa herë që e thërret Bruskeli në takime të rradhës.
Të enjten në Berlin, 6 vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar 3 marrëveshje të përbashkëta rajonale. Marrëveshjet e nënshkruara janë: marrëveshja për lëvizjen e lirë me karta identiteti për shtetasit e rajonit, njohja e diplomave universitare, dhe njohja e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve./21Media

Back to top button