Kurti për Enver Petrovcin: Sot Kosova humbi një thesar kombëtar

Kryeminitri në detyrë, Albin Kurti ka shprehur ngushëllime për vdekjen e aktorit dhe regjisorit, Enver Petovci.
Kurti përmes një postimi në “Facebook” e ka vlerësuar jetën dhe veprën e tij duke thënë se me rolet e tij të paharrueshme dhe profesionalizmin e përpiktë, ai e ngriti teatrin dhe filmin tonë në skenën vendore, rajonale dhe evropiane.
“Me dhimbje e pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta të aktorit, regjisorit dhe pedagogut tonë Enver Petrovci. Kujtesa energjike dhe qartësia e mendimit e bënin të veçantë: në çdo takim përçonte frymëzim me liri shprehjeje, kurse me vështrime lucide e humor vitruoz ndriçonte çdo bisedë.
Para veprës së tij shtrihet një kaleidoskop artistik i pamasë. Ai ishte themelues i Teatrit “Dodona” dhe i Shkollës së Aktrimit, profesor në degën e aktrimit në Universitetin e Prishtinës, i dashur për aq shumë gjenerata studentësh. Me rolet e tij të paharrueshme dhe profesionalizmin e përpiktë, ai e ngriti teatrin dhe filmin tonë në skenën vendore, rajonale dhe evropiane.
Sot Kosova humbi një thesar kombëtar, por trashëgimia e tij artistike do të mbetet e gjallë, pasuri e përbashkët që institucionet tona dhe komuniteti i artistëve do ta ruajnë e përcjellin brez pas brezi. Ngushëllime të përzemërta familjes, kolegëve dhe të gjithë artdashësve.”, ka shkruar Kurti./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?