Kurti për Gjykatën Komerciale: Ky Ligj do të ketë ndikim ekonomik tejet pozitiv

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përshëndetur miratimin në Kuvend të Projektligjit për Gjykatën Komerciale, duke thënë se kjo gjykatë krijon mundësi të mjaftueshme për rritjen e efikasitetit në zgjidhjen e kontesteve tregtare.
Kurti ka thënë se ky Ligj do të ketë ndikim ekonomik tejet pozitiv për Kosovën.
“Ligji për Gjykatën Komerciale krijon mundësi të mjaftueshme për rritjen e efikasitetit në zgjidhjen e kontesteve tregtare, me qëllim që të drejtat e bizneseve të fituara nga zgjidhja e mosmarrëveshjeve tregtare dhe administrative të realizohen pa vonesa, duke lehtësuar kësisoj shfrytëzimin e kapitalit. Ligji siguron lirinë e sipërmarrjes, barazinë e palëve, të drejtën e pronës dhe zbatimin e kontratave, në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e vendit. Po ashtu, ndërton besimin e investitorëve, duke përfshirë mërgatën tonë, dhe i hap rrugë zhvillimit të qëndrueshëm dhe mirëqenies së qytetarëve të Republikës”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.

Kuvendi i Kosovës me 74 vota për sot ka miratuar Projektligjin për Gjykatën Komerciale.
Paraprakisht, të zgjedhurit e popullit miratuan 32 amendamente përcjellëse të këtij projektligji.
Edhe për këtë projektligj vetëm deputetët e LDK-së u përmbajtën nga votimi./21Media
 

Back to top button