Kurti për protestën studentore: Sot e 26 vjet më parë, kumboi zëri i drejtësisë
Kryeministri Albin Kurti duke kujtuar përvjetorin e protestës studentore të 1 tetorit 1997, ka thënë se sot e 26 vjet më parë, kumboi zëri i drejtësisë, si revoltë ndaj shtypjes dhe dhunës.
Kurti me anë të një postimi në Facebook thekson se kjo protesta theu një heshtje dhe frikë të gjatë dhe popullit nisi t’i rikthehej guximi e dinjiteti.
“E përkujtuam këtë datë të rëndësishme duke bërë homazhe tek varri i profesor Ejup Statovcit, bashkë me ish-studentë e pjesëmarrës në marshimin për liri. Profesor Statovci ishte udhëheqës e prijës bashkë me studentët dhe organizatën e tyre gjithëpërfshirëse, Unionin e Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës – UPSUP. Studentët, nuk ishin vetëm. Vepra e kontributi i tij i jashtëzakonshëm na frymëzoi të gjithëve. Universiteti i Prishtinës u ringjall ndonëse nën okupim dhe u bë institucioni i cili udhëheqte me rezistencën e atëhershme”, ka shkruar Kurti.
Ai po ashtu ka shkruar se sot përkujtojn dhe ish rektorin Zenel Kelmendi, i cili ndërroi jetë në gushtin e këtij viti.
“Ai ishte një udhëheqës i vendosur i Universitetit në vitet e para pas luftës, duke pasuar si rektor punën e profesor Statovcit dhe fuqizuar themelet e Universitetit të Prishtinës”, shkruan Kurti.