Kurti për PSD-në: Kushdo që po del prej VV-së po përfundon në prehrin e PDK-së
I pari i VV-së kometoi edhe mesazhet e publikuara të deputetëve të PSD-së
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka folur për mesazhet e publikuara në media të deputetëve të PSD-së me pjesëtarë të koalicionit qeverisës.
Kurti më mbledhjen e 35-të të Këshillit të Përgjitshëm të VV-së, tha se kushdo që po del prej VV-së po përfundon në prehër të PDK-së.
“Kësaj tentative hileqare arritëm t’ia kuptojmë tërësisht të vërtetën vetëm dje kur i pamë në media të botuara mesazhet e tyre. Ndonëse mund ta kuptosh të vërtetën si orientim kur e kupton të vërtetën në saktësinë e përmbajtjes së saj, atëherë ky është një zhvillim i ri. Kjo e vërtet nuk na gëzon aspak, përkundrazi na hidhëron. Trishtohemi që parashikimet tona po dalin të sakta e kushdo që po del prej Vetëvendosjes po përfundon në prehër të PDK-së. I pata lutur të qëndrojnë në Lëvizje por paskam qenë i pa shpresë për projektin e tyre, ashtu siç u bënë të pa shpresë ata si për të gjithë të tjerët ashtu edhe për vetën e tyre”, tha Kurti, duke iu referuar mesazheve të publikuara dje.
Kurti tha se 12 deputetët janë borxhlinj të Thaçit e Kadris.
“Mesazhet e publikuara tregojnë se 12 deputetët tashmë Thaçi i paska blerë, e tashmë këta janë borxhlinj të Thaçit e Kadris. Tani ata flasin si Kadria dhe mbështesin Thaçin. Po ashtu, Thaçi e Veseli e kanë shfrytëzuar edhe lakminë e AAK-së dhe Nismës për pushtet që të shuajnë mospajtimet e tyre e ti përfshijë në dialog”, tha ai.
Kurti vazhdoi me kritikat ndaj qeverisë për zhvillimin ekonomik, duke thënë se të gjithë buxhetin e kanë orientuar në asfalt, pasi aty mund të vjedhin.
Ai shtoi se gjatë këtij viti në VV u anëtarësuan 5120 anëtarë të rinj e u hapën 146 pika në lagje e fshatra.
Për vitin që po vjen, Kurti tha se synojnë ta zgjerojnë anëtarësinë, e po ashtu të hapin dy qendra të VV-së në ShBA e Francë.
Sipas Kurtit, deri më tani VV numëron mbi 35 mijë e 600 anëtarë.
Po ashtu, Kurti tha se së shpejti VV do të jetë në pushtet.