Kurti për shtesat e rrezikshmërisë së policëve: Pare boll kurrë s’ka

(Lajm i përditësuar)


Kurti për shtesat e rrezikshmërisë së policëve: Pare boll kurrë s’ka

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti deklaroi se shtesa më e lartë për rrezikshmëri të policëve është 150 euro, ndërkaq më e ulëta 45 euro.

Kështu u shpreh ai, teksa është pyetur për propozimin që ka prezantuar sot për shtatë kategoritë e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Shefi i ekzekutivit tha se ‘pare boll kurrë s’ka’, duke u arsyetuar se kaq mjafton buxheti i shtetit për ndarje të këtyre shtesave.

“Përgjatë këtij viti 2.134 policë kanë pasur në Republikën e Kosovës të ardhura mesatare më të larta se 1000 euro që i bie se afër 27 për qind të policëve. Në qershor dhe korrik sivjet janë afër 700 policë, të cilët kanë marrë pagë me shtesa, të ardhura kumulative më të larta se presidentja e Republikës. Ndërkaq, mesatarja e të ardhurave të policëve për 203 sosh gjatë këtij viti është me lartë se e presidentes së Republikës, që është paga më e lartë në sektorin publik…Ne kemi bërë analizat e hollësishme, nuk mund të kemi zgjidhje partikulare. Shtesë më e lartë për rrezikshmëri është 150 euro e më e ulëta 45 euro. Ju e dini që para boll kurrë s’ka, por buxheti i Kosovës është ky që është. Po ua theksoj edhe një herë, afër 700 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, që i bie gati 10 për qind të tyre në muajin qershor dhe korrik kanë pasur të ardhura mesatare më të larta se presidentja”, u shpreh ai.


Qeveria emëron drejtorin e ri të Shërbimit Korrektues të Kosovës

Qeveria e Kosovës ka emëruar drejtorin e ri të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Ismail Dibrani do të jetë drejtor i burgjeve të Kosovës, me mandat katër-vjeçar.

Në mbledhjen e kabinetit qeveritar, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se për këtë pozitë kanë aplikuar shtatë kandidatë, ndërkaq katër prej tyre kanë hyrë në listë të ngushtë.

“Pas vlerësimit profesional nga Komisioni Shtetëror i Pranimit përmes testit me shkrim dhe intervistës, kandidatët fitues që janë vlerësuar mbi pragun 70 për qind të pikave janë: Ismail Dibrani dhe Ridvan Hoti. Në pajtim me dispozitat ligjore të Ligjit për Zyrtarët Publik dhe pas përzgjedhjes nga Ministria e Drejtësisë, propozojë emërimin e Ismail Dibrani, për pozitën drejtor i përgjithshëm në Shërbimin Korrektues, për një mandat katër-vjeçar”, deklaroi Sveçla.


Qeveria ndan 9 milionë euro për komunat që janë prekur nga vërshimet

Qeveria e Kosovës ka ndarë nëntë milionë euro për komunat që janë prekur nga vërshimet.

“Shqyrtimi i propozim vendimit për ndarjen e mjeteve financiare për ofrimin e ndihmës për rimëkëmbjen nga fatkeqësitë natyrore, vërshimet në Kosovë, bazuar në raportin e Komisonit për vërshime, Ministria e Financave ka propozuar ndarjen e mjeteve prej 9 milionë euro”, ka deklaruar kryeministri Albin në mbledhjen e 169-të të Qeverisë së Kosovës.

“Këto mjete do të ndahen për komunat e Republikës së Kosovës që janë prekur nga vërshimet e shtatorit 2022 dhe të janarit 2023”., ka shtuar ai.


Qeveria e Kosovës propozon shtesat për policët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e mbajtur ka prezantuar propozimin për rritjen e shtesave për policë.

Kurti njoftoi se shtesat do të fillojnë të përfshihen që nga paga e muajit nëntor.

“Përfshihen shtatë kategori të pozitave në Policinë e Kosovës, të cilët janë subjekt i shtesave të rrezikshmërisë, shtesat për Njësinë Speciale intervenuese, Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësia për Mbrojtje të afërt do të kenë 150 shtesë, 120 euro shtesë për Njësinë Speciale Operative K9 dhe Njësia për Eksploziv dhe deminim. Pjesëtaret e patrullave kufitare do të përfitojnë nga 100 euro në muaj, ndërsa pjesëtaret e hetuesisë nga 75 euro në muaj. Ekipet reaguese dhe patrullat do të marrin nga 60 euro shtesë në muaj, kurse policët që angazhohen për sigurimin e objekteve do të marrin nga 50 euro”, tha Kurti.

Back to top button