Kurti për targat: Do të shohim se sa të suksesshme do të jenë negociatat e reja
"Unë jam optimist por qasja e Beogradit ka qenë shumë destruktive"

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e Kosovës është duke bërë çmos për ta mbrojtur ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit, duke shtuar se mbetet të shihet në të ardhmen se sa të suksesshme do të jenë negociatat e reja me Serbinë. Këtë deklaratë Kurti e ka bërë të premten në Estoni, gjatë një konference të përbashkët me kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas, kur u pyet për targat.
I pari i Qeverisë së Kosovës ka thënë se zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, është në komunikime të rregullta dhe intensive me Brukselin për ta zgjidhur këtë çështje.
“Unë jam optimist por qasja e Beogradit ka qenë shumë destruktive. Në ditët e ardhshme do të shohim se sa të suksesshëm do të jemi në negociatat e reja. Ne kemi nevojë për marrëveshje përfundimtare me Serbinë, për normalizim të marrëdhënieve me njohje reciproke”, ka thënë Kurti.
I pyetur se sa është Qeveria e kënaqur me punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Kurti ka thënë se në ish-Jugosllavi janë vrarë rreth 150 mijë joserbë dhe se për fat të keq në Serbi nuk janë dënuar për këtë as 150 persona./21Media